Nga 1 janari 2024 nis zbatimin paketa e re fiskale me rritjen e akcizës së duhanit dhe cigareve dhe tatimin mbi të ardhurat nga profesionet. Nga 2024 nuk do të paguhet TVSH e importit të gjedhëve me qëllim stimulimin e rritjes së numrit të bagëtive dhe përjashtimin nga TVSH për kosheret me bletë.
Nga 1 janari 2024 fillojnë efektet edhe në ndryshimet e ligjit “Për procedurat tatimore” që synon ashpërsimin e gjobave për bizneset që nuk plotësojnë në kohë detyrimet për të paguar këstet e tatim fitimit korporativ dhe tatimit mbi të ardhurat personale, si dhe shkon në 500 mijë lekë gjoba për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ që nuk lëshojnë faturë tatimore.
Nga taksimi i profesioneve të lira do arkëtohen 3 miliardë të ardhura shtesë
Rreth 29 mijë biznese të profesioneve të lira do të paguajnë tatimin progresiv nga 15 deri 23%. Të ardhurat e programuara në buxhet nga kjo kategori janë parashikuar në rreth 3 miliardë lekë sipas relacionit të projektbuxhetit 2024.
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” përcakton se profesionet e lira me të ardhura vjetore deri 14,000,000 do të tatohen mbi fitimin 15%, pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pagës minimale ndaj totalit të të ardhurave vjetore. Për profesionet e lira të përcaktuar sipas listës të vendimit “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat” me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë në vit shpenzimet e zbritshme fikse të padeklaruara në kontabilitet njihen në vlerën 30%.
Kategoria tjetër e bizneseve që përfshihen në të ardhurat vjetore mbi 14 milionë lekë kanë detyrimin e deklarimit të shpenzimeve vjetore pranë administratës tatimore, ndryshe nga fashë e parë që u njihen shpenzime fikse apo të pambajtura në kontabilitet në masën 30%. Pas zbritjes së shpenzimeve të deklaruara në administratën tatimore fitimi i kësaj kategorie do të tatohet me normën tatimore 23%.
MFE llogarit se deri 90% e totalit të bizneseve (të ndarë sipas 3 kategorive, si: vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtar) përfshihen në fashën e ardhurave vjetore deri 14 milionë lekë në vit që do të tatohen me normë 15%.
Nis nga 1 janari indeksimi i akcizës deri 1,5%
Nga 1 janari 2024 fillojnë efektet edhe të ndryshimeve të ligjit “Për Akcizat” kufizon rritjen e tarifave të akcizës për karburantet dhe pijet alkoolike deri në nivelin 1,5%.
Ndryshimet parashikojnë që akciza do të indeksohet çdo dy vjet, në masën e normës zyrtare të inflacionit të shpallur nga INSTAT-i, por jo më shumë se 1,5%, me përjashtim të duhanit dhe nënprodukteve të tij, për të cilat akciza do të aplikohet sipas kalendarit të përcaktuar në Shtojcën nr. 1, që i bashkëlidhet ligjit. Sipas relacionit të projektligjit ky nivel indeksimi do të gjenerojë 0,6 miliard lekë të ardhura shtesë nga akciza.
Në janar të vitit 2022 është aplikuar indeksimi automatik i tarifave të akcizës me normën zyrtare të inflacionit të shpallur nga INSTAT-i për dy vitet paraardhëse, me qëllim reflektimin e rritjes së indeksit të çmimeve të konsumit të mallrave mbi nivelin e akcizës së aplikuar, si dhe parandalimin e erozionit në akciza.
Indeksimi ligjor çdo dy vjet i tarifave të akcizës u vendos, bazuar në nivelin e inflacionit mesatar të rezultuar në 10 vjetët e fundit, i cili varionte në nivelin rreth 1.7% në vit.
Në relacionin e projektbuxhetit 2024 theksohej se sipas këtij parashikimi, nivelet e akcizës për produktet e akcizueshme do të rriteshin me mesatarisht 3-3.4%, çdo dy vjet.
Rritja e shpejtë e inflacionit në nivele “jonormale” gjatë dy-tre viteve të fundit, si një fenomen jo vetëm shqiptar, por global, që u nxit fillimisht nga pandemia Covid-19 dhe më pas nga lufta në Ukrainë, bën të nevojshëm rishikimin e skemës së rritjes. Të dyja këto ngjarje dëmtuan zinxhirët e furnizimit për disa produkte jetike, si energjia, nafta dhe ushqimet.
Kjo rritje e inflacionit, me një normë mesatare vjetore prej 7.4% në fund të vitit 2022 dhe 5.2% për periudhën janar-gusht 2023 bën të domosdoshëm kufizimin e rritjes së tarifave të akcizave për shkak të inflacionit dhe propozimin e këtij projektligji, me qëllim kufizimin e indeksimit të tarifave të akcizës brenda limiteve të një norme inflacioni të akumuluar dyvjeçare që nuk kalon 1.5%.
Përndryshe, nëse nuk do të bëhet ky kufizim, niveli i akcizave nga janari 2024 duhet të rritet +11,5% dhe nëse edhe në vitet në vijim inflacioni do të rezultojë në nivele mbinormale, indeksimi do ndikojë në rritjen e çmimeve të mallrave, të tilla, si karburantet, pijet alkoolike, birra, vera etj.
Nga 1 janari 2024 vijon rritja e akcizës për cigaret sipas skedulimit
Për duhanin dhe cigaret, për periudhën 2022-2026 aplikohet rritje çdo vit, sipas një skedulimi të caktuar, të parashikuar në ligjin e akcizave. Rritja e akcizës së cigareve, miratuar në vitin 2022 sipas kalendarit për periudhën 2022-2026 ka efekt në rritjen e të ardhurave në vlerën e 0,75 miliard lekëve.
Nga 1 janari 2024 shkalla e taksimit për “puro dhe cigarillos”, “cigare që përmbajnë duhan”, “puro, cigarillos dhe cigare me zëvendësues duhani” dhe “për duhan tjetër i përpunuar dhe zëvendësuesit duhan me dredhje” nga 7,000 lekë për kg do të jetë 7,250 lekë për kg.
Ndërsa për “duhan të përpunuar me gjethe duhani të kultivuar në Shqipëri” shkalla e akcizës nga 3,000 lekë për kg do të jetë 3,250 lekë për kg. Për produktet që mbajnë nikotinë lëng akciza rritet 2 lekë për ml dhe arrin në shkallën 16 lekë për ml. Për produktet duhan me ngrohje dhe për shishë dhe argjile akciza arrin nga 7,250 lekë për kg në 7,750 lekë për kg.
Përjashtimet e TVSH-së në blegtori
Paketa fiskale përfshin edhe disa përjashtime nga TVSH për sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë. Nisur nga nevoja e rritjes së numrit të krerëve të bagëtive në vend, u miratua përjashtimi nga TVSH në importin e gjedhëve të mbarsur sipas një kodi doganor të caktuar doganor.
Po kështu u miratua edhe përjashtimi nga TVSH i koshereve me bletë, çka do stimulojë zgjerimin e këtij sektori si dhe përjashtimi nga TVSH i importit të insekteve të cilët luftojnë insektet, të cilët janë zëvendësues të insekticideve që përdoren në bujqësi. Efekti nga këto masa në mbështetje të bujqësisë është rreth -150 milionë lekë në vit.
Taksa e karbonit do të rritet 0,5 lekë nga 1 korriku 2026
Nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë u propozua nga 1 janari 2024 rritja me 0,5 lekë e taksës së karbonit mbi industrinë e rëndë të hekurit, çimentos apo ferro-kromit nga 3 lekë për kilogram që është aktualisht për të arritur në 15,3 lekë deri në vitin 2030.
Pas propozimeve të deputetëve të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë u miratua që rritja e taksës së karbonit të nisë nga 1 korriku 2026 me 0,5 lekë për kg, duke arritur në vlerën e 4,5 lekëve. Më tej do të arrijë 6,5 lekë në vitin 2027, 9 lekë në vitin 2028, dhe 12 lekë në vitin 2029 dhe 15,3 lekë për kg në vitin 2030.
Nga ndryshimet që do të nisin zbatimin nga 1 korriku 2026 parashikon të gjenerohen 140 milionë të ardhura shtesë në buxhet./Monitor