Fredi Beleri betohet sot si eurodeputet i Parlamentit Europian. Beleri, doli dje nga burgu i Fierit, ku po vuan 2 vite dënim nën akuzën e blerjes së votave në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit të vitit të kaluar. Pasi u prit nga familjarët në dalje të burgut, Beleri iu drejtua aeroportit të Rinasit, me një makinë të ambasadës greke.
Më pas Beleri udhëtoi drejt Athinës, ku u takua dhe me kryeministrin grek, Mitsotakis dhe më pas u nis drejt Strasburgut.

Kujtojmë se Drejtori i Burgjeve miratoi kërkesën 5-ditore për Belerin, në mënyrë që ai të kryejë betimin si deputet i PE. Sipas njoftimi, leja e Belerit do të niste dje (15 korrik) dhe do t’i përfundojë më 20 korrik, kur do të duhet të vijojë dënimin në burgun e Fierit.

Drejtoria e Burgjeve, ka kërkuar nga Beleri informacion të plotë, duke përfshirë garancinë e udhëtimit, dorëzimin e biletës vajtje-ardhje, akomodimin dhe rregullimin e hotelit. Nëse do të qëndrojë më shumë se sa e lejon leja, për shkak të zhvillimeve atje, do të duhet të informojë zyrtarisht të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë edhe autoritetet lokale.

Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet heqje lirie me akuzën e korrupsionit zgjedhor, pasi u arrestua nga policia dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023. Që nga çasti i prangosjes e në vijimësi, Beleri ka kundërshtuar akuzat që prokuroria ka ngritur ndaj tij, duke e konsideruar këtë një proces politik dhe ka apeluar vendimin. Por edhe Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur ta lërë në qeli. Në javën e parë të qershorit, Beleri u zgjodh deputet i Parlamentit Europian me rreth 237 mijë vota, duke u renditur i katërti në listën me 7 fitues që garuan nën siglën e partisë në pushtet në Greqi, “Demokracia e Re”.