Nga gërmadhat e luftës, në një metropol të shkëlqyeshëm bregdetar.
I tillë është “Project Sunrise”, që sipas prestigjiozes Wall Street Journal po përpilohet nga administrata Trump për rindërtimin dhe transformimin rrënjësor të Rripit të Gazës, një plan ambicioz prej 112 miliardë dollarësh.
I udhëhequr nga Jared Kushner dhe Steve Witkoff, projekti synon ta kthejë Gazën në “Rivierën e Lindjes së Mesme”. Plani prej 32 faqesh parashikon resorte luksoze, trena me shpejtësi të lartë dhe rrjete energjetike të optimizuara nga inteligjenca artificiale. Synimi është i qartë: kalimi i banorëve nga tendat e refugjatëve në apartamente moderne brenda një dekade.
Rindërtimi parashikohet të kalojë në katër faza, duke nisur nga Rafahu në jug, për t’u shtrirë më pas drejt veriut në Qytetin e Gazës. Megjithatë, projekti ka një kusht të panegociueshëm: përmbylljen me sukses të fazës së dytë, që është në prag të nisjes, çarmatimin e plotë të Hamasit dhe shkatërrimin e të gjitha tuneleve.
Shtetet e Bashkuara angazhohen të mbulojnë 20% të kostos, pjesa tjetër nga vendet e rajonit. Kritikët mbeten skeptikë për koston gjigante dhe sigurinë në terrenin e minuar.





