Armët e sakta dhe vdekjeprurëse, raketat me rreze të gjatë veprimi, raketat hipersonike – së shpejti në Gjermani. Pse vendosen këto armë?
Për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë, sistemet amerikane të armëve me rreze të gjatë do të vendosen sërish në Gjermani. Kancelari Olaf Scholz tha se vendimi ishte përgatitur për një kohë të gjatë, por njoftimi i shkurtër i përbashkët i dy qeverive befasoi shumë njerëz dhe politikanë në Gjermani.
Nuk pati asnjë diskutim parlamentar apo publik për këtë çështje, ndërsa para 40 vitesh ka pasur protesta masive kundër vendosjes së raketave Pershing: në tetor 1983, rreth një milion gjermanë krijuan një zinxhir njerëzor në shenjë proteste – por pa sukses. Kancelari i atëhershëm Helmut Schmidt, një socialdemokrat si dhe Olaf Scholz, e kritikua për këtë në Bundestag.
Lidhur me këtë stacionim të ri të raketave ka shumë pak informacione të besueshme, mediat gjermane shkruajnë se nuk dihet se ku do të vendosen armët, por disa informacione mund të gjenden në internet, në dokumente amerikane që disponohen, në gazeta profesionale dhe të tjera.
Kështu, për shembull, tabloidi britanik The Sun që më 21.11.2021. publikoi një grafikë që tregon se si raketa supersonike amerikane Dark Eagle – e lëshuar nga Wiesbaden – arrin në Moskë në vetëm 21 minuta e 30 sekonda. Këto dy qytete janë 2000 kilometra larg njëri-tjetrit. Në këtë shkrim thuhej se raketa do të jetë gati për operim në vitin 2023.
Më parë, portali amerikan Breaknig Defense (4 nëntor 2021) raportoi se Ushtria Amerikane riaktivizoi zyrtarisht Komandën e 56-të të Artilerisë në Evropë, e cila ishte aktive nga viti 1986 deri në 1991, dhe dha dritën jeshile për vendosjen e armëve moderne precize, duke përfshirë ato me rreze të gjata veprimi (LRPF).
Për çfarë projekti bëhet fjalë?
Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë dhe qeveria gjermane të mërkurën (10 korrik 2024) thuhet se “Shtetet e Bashkuara do të vendosin përkohësisht sisteme armësh me rreze të gjatë nga Task Forca e saj Multi-Domain në Gjermani, si pjesë e një plani për stacionimin e tyre të përhershëm.”
Sipas Shërbimit Kërkimor të Kongresit të SHBA (CRS), Ushtria Amerikane është aktualisht në procesin e krijimit dhe pajisjes së pesë të ashtuquajturave Task Forca me shumë domene (MDTF) në mbarë botën. Një nga detyrat e tyre kryesore është të sigurojnë zjarr artilerie me rreze të gjatë – përmes raketave me rreze të gjata veprimi. Përveç kësaj, MDTF ka edhe aftësi të mbrojtjes ajrore.
Tre MDTF janë për rajonin e Paqësorit dhe një për Evropën – do të vendoset në Wiesbaden, Gjermani.
Ushtria amerikane e njoftoi këtë më 13 prill 2021. Pesë muaj më vonë, më 16 shtator 2021, MDTF u aktivizua në bazën amerikane në Wiesbaden (L. Clay Barracks). Synimi ishte që aty të vendoset vetëm shtabi dhe njësi të caktuara, ndërsa elementët thelbësorë operacionalë (armët) do të vendoseshin në Fort Drum në shtetin e Nju Jorkut.
Por nga të gjitha llogaritë, kjo bazë do të zhvendoset në Gjermani. Baza duhet të jetë funksionale deri në tetor 2025 me përjashtim të armëve hipersonike të cilat duhet të jenë gati deri 1.10. 2026, shkruan dokumenti i Shërbimit Kërkimor të Kongresit Amerikan (CRS).
Çfarë lloj armësh do të vendosen?
Qeveritë e SHBA-së dhe Gjermanisë deklaruan në deklaratën e sipërpërmendur se “njësitë konvencionale, kur të vendosen plotësisht, do të përfshijnë SM-6, Tomahawks dhe armët hipersoike që janë aktualisht në zhvillim”.
Tomahawk
Tomahawk është një raketë e madhe lundrimi që ka qenë në përdorim për dekada dhe po zhvillohet vazhdimisht më tej. Është arma standarde e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në çdo konflikt ushtarak kundër caqeve tokësore dhe gjithnjë e më shumë po merr përsipër detyrat e bombarduesve me telekomandë.
Tomahawk ishte raketa e parë e lundrimit që fluturoi në lartësi të vogla dhe kështu ishte kryesisht e padukshme për radarët. Ajo u zhvillua në vitet 1970 dhe u përdor në një numër të madh konfliktesh – për herë të parë në vitin 1991, kur 297 Tomahawk u hodhën në Irak. Mbi 800 prej tyre u nisën në pushtimin e Irakut në vitin 2003, u përdorën gjithashtu në Afganistan, Somali, Libi, Siri dhe aktualisht kundër pozicionit të Houthi-ve në Jemen.
Në shtator 1995, 13 Tomahawk qëlluan pozicionet e forcave serbe në Bosnjë-Hercegovinë, pranë Banja Lukës. Ndërsa në vitin 1999, 218 Tomahawk u hodhën mbi objektivat në Serbi nga luftanijet amerikane dhe 20 të tjerë nga një nëndetëse britanike.
Ndërkohë, Tomahawk është prodhuar nga American Raytheon (RTX), kushton nga 600.000 deri në rreth 1.5 milionë dollarë për copë dhe ka një distancë veprimi deri në 2500 kilometra. Mund të qëndrojë në ajër për orë të tëra dhe të ndryshojë vazhdimisht kursin, domethënë mund të ndryshjojë edhe objektivin me telekomandë.
SM-6
Raketa e lundrimit Standard Missile-6 (SM-6) është, si të thuash, një sistem me tri raketa në një. Është e vetmja raketë që kombinon mbrojtjen ajrore, mbrojtjen tokësore dhe mbrojtjen nga raketat detare.
Ajo mund të përgjojë raketa kundër anijeve në lartësi shumë të larta ose raketa balistike në fazën e tyre të fundit – vetëm disa sekonda para se të arrijnë objektivin. Ky sistem ka një kërkues të dyfishtë objektivash të aftë për të zbuluar një raketë armike në tokë – madje edhe pas një mali. Në bashkëpunim me avionët e zbulimit, ai mund të përdoret edhe “mbi horizont”, pra jashtë horizontit të radarit.
Mund të lëshohet nga një anije, nga toka, aeroplanët e Boeing Type 18 E dhe F dhe platforma Typhon e zhvilluar nga Lockheed Martin. Ka një distancë verpimi deri në 500 km.
SM-6 është prodhuar nga Raytheon (RTX) që nga viti 2013. Një raketë kushton 4.3 milionë dollarë, sipas të dhënave të vitit 2022. Përveç marinës amerikane dhe britanike, këtë e kanë edhe Australia, Japonia dhe Koreja e Jugut.
Dark Eagle
Arma më moderne në arsenalin e Task Forcave me shumë qëllime do të jetë raketa hipersonike Dark Eagle, e cila po zhvillohet nga Lockheed Martin dhe Northrop Grumman. Kjo raketë do të jetë në gjendje të niset nga një kamion, si sistemi Patriot, për shembull. Është dashur të përfundojë në vitin 2023, por ka pasur disa probleme. Vlerësohet se secila prej tyre do të kushtojë rreth 40 milionë dollarë.
Shtetet e Bashkuara e morën vendimin për të zhvilluar një raketë hipersonike 20 vjet më parë, kur presidenti amerikan ishte republikani George W. Bush.
Me sa duket, edhe Dark Eagle është planifikuar të vendoset në Gjermani, në Wiesbaden, pas rreth dy vitesh. Kjo raketë duhet të ketë një rreze veprimi në një distancë deri rreth 2700 kilometra.