Qeveria shqiptare premton nisjen e punës për ndërtimin e dy aeroporteve të rinj brenda vitit 2021, duke e çuar numrin e tyre në 4 gjithsej.

Gjatë mandatit të tretë qeverisës të PS-së, një vëmendje të veçantë do të përqendrohet tek investimet madhore në infrastrukturë.

Fillimi i punimeve për ndërtimin e Aeroportit Internacional të Vlorës dhe nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e Aeroportit Internacional të Sarandës janë dy synimet kryesore të këtij katërvjeçari.

Kryeministri Edi Rama premtoi gjatë fushatës elektorale se do të niste ndërtimin e tyre për t’u dhënë qyteteve dhe vendit një zhvillim të rëndësishëm ekonomik, duke i cilësuar si burim punësimi.

Përmes programit, në katër vitet e ardhshme synohet që të përfundohen projektet e rëndësishme të infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe detare.

“Nisim punimet për VIA (Vlora International Airport) brenda vitit 2021, që ky aeroport të jetë operacional më 2024. Brenda vitit 2021 nënshkruajmë kontratën për ndërtimin e SIA (Saranda International Airport).

Përfundojmë brenda vitit 2021 punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Aksi Kardhiq-Delvinë do të përfundojë tërësisht në pranverën e vitit të ardhshëm (maj 2022).

Nisim brenda vitit punimet për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës.

Nisim në janar 2022 punën për transformimin e Portit aktual të Durrësit në një hapësirë moderne të kompletuar me një marinë jahtesh, infrastrukturë turistike dhe komplekse rezidenciale që do ta pozicionojë Shqipërinë në hartën e turizmit elitar mesdhetar”, thuhet në programin e qeverisë “Rama 3”.

Qeveria shqiptare synon investime të rëndësishme në energjetikë, duke synuar që në katër vitet e ardhshme Shqipëria do të jetë një vend eksportues neto i energjisë elektrike në të gjithë rajonin.

“Brenda marsit të vitit 2022 nënshkruajmë kontratën për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, HEC-i më i madh në vend. Brenda qershorit 2022 nënshkruajmë kontratën për fillimin e punimeve për TEC Vlorë, projekt i cili përfshin konvertimin e TEC Vlorë me LNG (gaz të lëngshëm natyror), te ndërtimi i një terminali rigazifikimi, e deri te shpërndarja në shkallë të vogël e LNG, duke shndërruar Vlorën në një HUB rajonal.

Nisim punimet për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë prej 140 MW, më i madhi në Ballkan, në pranverën e vitit të ardhshëm (mars 2022). Bursa Shqiptare e Energjisë do të bëhet krejtësisht operacionale në shkurt të vitit 2022”, janë disa nga projektet e rëndësishme në energjetikë.