Rezultatet e mostrave të gjakut të 33-vjeçares Romina Xhakoni Myftiu që humbi jetën javën e kaluar në spitalin e Durrësit përjashtuan shkakun e vdekjes nga ndonjë virus apo grip në qarkullim.
Po përveç viruseve, që shkaktojnë edhe meningjitin, sëmundja infektive shkaktohet edhe nga bakteret që, ndryshe nga viruset, janë më të rrezikshme. Mjekët pranojnë se kursi klinik i meningjitit bakterial është aq i shpejtë sa mund të çojë drejt vdekjes në një kohë të shkurtër, ndërsa kryerja e vaksinës konsiderohet si tejet mbrojtëse për të parandaluar infeksionin.
Për 33-vjeçaren Xhakoni, diagnoza laboratorike, sipas mjekëve të spitalit të Durrësit që ndoqën rastin, nuk qe e plotë për shkak të zhvillimit të shpejtë të sëmundjes dhe rëndimit të saj deri në vdekje, ndërkohë që një kuadër të tillë klinik me një pamjaftueshmëri të shumë organeve, që dolën njëkohësisht jashtë funksionimit (insuficensë multiorganore), nuk e jep vetëm menigjiti. Ndaj përgjigjen e shumë pikëpyetjeve që ngriti vdekja e saj do të mund ta jepte vetëm kryerja e autopsisë e cila nuk u lejua nga familjarët.
V.Q.





