Këshilli Bashkiak i Durrësit pritet të mbajë ditën e enjte një mbledhje jashtë radhe, po përmes mjeteve të komunikimit elektronik, ku priten të miratohen 3 pika të rëndësishme që janë në rend dite, ndër të cilat miratimi i prishjes së 12 pallateve të dëmtuara nga tërmeti dhe miratimi i kontratës për përfitimin e granteve të rikonstruksionit.

Miratimi i rendit të ditës:

1.Shqyrtim dhe miratim i projektvendimit për miratimin e kontratës tip për përfitimin nga grantet e rikonstruksionit për individët ose familjet e dëmtuara nga tërmeti i datës 26.11.2019 me nivel dëmi DS1- DS2 – DS3.

2.Shqyrtim dhe miratim i projektvendimit për vijimin e procedurave të prishjes së detyruar të 12 pallateve të ndodhura në njësitë administrative Sukth, Manëz, Ishëm, Rrashbull dhe njësinë administrative nr.4 Durrës të gjitha pronë private në zbatim të ekspertizave të thelluara të hartuara nga instituti i ndërtimit, Tiranë.

3. Shqyrtim dhe miratim i projektvendimit për miratimin e vërtetimit të lëshuar nga kryetari i fshatit dhe administratori i njësisë administrative si pjesë e dokumentacionit të dosjes së aplikuesit për të përfituar nga programet e rindërtimit.