Qeveria Shqiptare miratoi sot në mbledhjen e saj Aktin Normativ të Buxhetit 2020, si dhe paketën financiare për pensionistët dhe shtresat në nevojë, në prag të festave të fundvitit.
Lajmin e bëri të ditur përmes një konference Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, e cila e ndali vëmendjen tek shifrat. Denaj sqaroi me detaje se sa është fondi i alokuar për shëndetësinë në kohën e pandemisë, mbështetja e projekteve në prag të zgjedhjeve por edhe për arsimin, e infrastrukturën.
“Miratuam fond shtesë 1.4 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale, 400 milionë lekë për spitalet për situatën Covid, 1 miliard lekë për ndihmën ekonomike dhe paaftësi. Mbështetje shtesë për infrastrukturën energjinë dhe reformën e ujit. Parashikohen 2.9 miliardë lekë pagesa për rreth 30 projekte. 420 milionë lekë subvencion i është dhënë ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve. 200 milionë lekë për shpronësim dhe shlyerje detyrimesh në infrastrukturë. Me rëndësi edhe shtesa 673 milionë lekë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve për dy projekte, identifikimi elektronik i zgjedhjeve dhe votimi elektronik. Ky buxhet nuk e ka lënë pas as arsimin, për të cilën jepen 100 milion lekë. Këtë vit kemi pasur 4 akte normative në mars e maj, paketa 1 dhe 2 ku u ndihmuan mbi 300 mijë individë”,– tha Denaj, ndërsa e cilësoi 2021 vitin e kthimit të vendit drejt normalitetit.
“Në vitin 2021 presim rritje ekonomike 5,5%. Ne synojmë të jetë një vit drejt kthimit të normalitetit. Me shpresën e sigurimit të vaksinës presim të sjellë liri më të gjërë dhe konsum më të gjërë”,- tha ajo.





