Policia e Vlorës ka arrestuar në flagrancë një 32-vjeçar, i përfshirë në një konflikt të dhunshëm mbrëmjen e djeshme, ku dy persona mbetën të plagosur me thikë.

Sipas njoftimit zyrtar, I. H., 32 vjeç, banues në Vlorë, u konfliktua për motive të dobëta në dy zona të qytetit: në lagjen “10 Korriku” dhe në lagjen “Pavarësia 2”, ku sulmoi me mjet prerës (thikë) dy shtetas.

Nga përplasja mbetën të lënduar shtetasit M. F., 39 vjeç dhe K. K., 32 vjeç, të cilët morën ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Edhe vetë autori, I. H., është trajtuar për dëmtime të marra gjatë konfliktit.

Policia thotë se ngjarja u dokumentua plotësisht falë pamjeve filmike të siguruara nga vendi i ngjarjes. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika e përdorur nga autori gjatë sulmit.

Ndaj 32-vjeçarit rëndon akuza për “Plagosje e rëndë me dashje”, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme ligjore.