Vështirësia dhe rëndësia që ka ndeshja përballë Skënderbeut njihet mirë nga të gjithë dhe akoma më shumë nga Bledi Shkëmbi, i cili ka bërë historinë në skuadrën e vendlindjes.

Është pikërisht kjo arsye që tekniku u ka kërkuar të tijve të bëjnë një tjetër sforco, duke arritur rezultatin e tetë pozitiv radhazi. Stërvitja e djeshme ka nisur me një fjalim para ekipit nga trajneri për të bërë të ditur rëndësinë e takimit që do të luhet të shtunën në orën 17:00 në stadiumin “Skënderbeu”.

Kjo është hera e parë që Bledi Shkëmbi do të jetë si kundërshtar në Korçë, duke qenë nën drejtimin e Teutës. Një ndeshje shumë e veçantë do të jetë edhe për Tefik Osmanin, qendërmbrojtësin korçar që la Skënderbeun në verë për t’iu bashkuar Teutës, duke u “graduar” edhe kapiten ekipi. Shkëmbi dhe Osmani e dinë mirë sesi mund të ndalin bardhkuqtë dhe trajneri ka nisur që tani një përgatitje speciale për të motivuar akoma më shumë lojtarët.

Në radhët e Teutës ka edhe ish-ë të tjerë të Skënderbeut, jo vetëm në fushë, por edhe stafin teknik. Ditmar Bicaj ka fituar katër tituj me korçarët, e njëjta gjë edhe me zv.trajnerin Endri Vrapi dhe përgatitësin atletik, Iris Selimi. Skuadra ka punuar më shumë me topin në seancën e djeshme, me Shkëmbin që kërkon maksimumin.

Trajneri është parë dje të ndërpresë disa herë seancën për të shpjeguar çdo gjë në imtësi. Në fund skuadra zhvilloi një minitakim testues. Duke parë edhe kundërshtarin, gjasat janë që Shkëmbi të ndryshojë formacionin.