Një bjellorus për Teutën. Vetëm dje në Durrës ka zbarkuar Dzimitri Rekish. Mesfushori me tipare sulmuese i është bashkuar grupit, duke qenë kështu afrimi më i fundit për ekipin. Lojtari ishte te Vllaznia në provë, megjithatë pas aventurës 1-ditore me shkodranët, 26-vjeçari ka zbarkuar në stërvitjen e durrsakëve.
Bjellorusi ka qenë pjesë e Kombëtareve të moshave në vend, konkretisht U-17, U-19 dhe U-21. Mbetet për t’u parë nëse ai do të nënshkruajë direkt, apo fillimisht do t’i nënshtrohet provës nga stafi teknik. Me afrimin e mundshëm të Rekish, numri i afrimeve verore për Teutën shkon në 5.
Sakaq, me largimet duket se është mbyllur “hesapi”. Lukiç, Bernardo, Jildemar dhe i riu Kadriu janë lojtarët që lanë ekipin pas përfundimit të sezonit, madje nuk ishin pjesë e skuadrës as për Kupat e Europës, ndërsa të tjerët që janë në urdhrat e Ahmatajt do të rinovojnë.
Një mundësi e mirë që lojtarët e afruar të provohen është edhe miqësorja e sotme kundër Flamurtarit në “Niko Dovana”. Kjo ndeshje i jep shansin teknik që të shikojë nga afër futbollistët dhe të vendosë pikat mbi “i” për ata që janë në provë.
Ahmataj në seancën e ditës së djeshme ka punuar me skema dhe “skicuar” formacionin paraprak për këtë test, ndërsa rreshtoi: Rizvanin, E.Hoxhën, Shkallën, R.Hoxhën, Kotobellin, Hodon, Çyrbjan, Mustën, Raboshtën, Lamçjan dhe Maganin. Një rikthim në Durrës për Gugash Maganin, por këtë herë si kundërshtar. Tani është koha e Ahmatajs të tregojë aftësitë e tij përballë ish-trajnerit.





