SPAK në bashkëpunim me autoritetet franceze kanë shkatërruar një grup kriminal të trafikut të drogës, ku në pranga kanë rënë 19 persona, mes tyre disa shqiptarë. Sipas SPAK grupi drejtohej nga shqiptari i cili jetonte në vendin tonë, dhe “dirigjonte” në distancë.

 Rezultatet e hetimeve në Francë

Gjatë periudhës gusht-dhjetor 2022, autoritetet franceze kanë filluar një hetim paraprak në qarkun e Albertville në lidhje me veprimet e një grupi kriminal të organizuar i cili është marrë me trafikun e drogës.

Kjo strukturë ishte e vendosur në qarkun e Lionit dhe furnizonte grupet e shitjes të vendosura në qarkun e Savojës dhe Savojës së sipërme. 

Hetimet e kryera, bënë të mundur të vërtetohen dërgesat me lëndë narkotike pothuajse ditore tek grupet e shitjes në qarqet e Rhone, Ain, Savojë dhe Savojës së sipërme nga një nënshtetas shqiptar që jetonte në periferi të Lionit. 

Aktivitet i paligjshëm kriminal në fushën e narkotikëve që zhvillohej në territorin francez, drejtohej nga shqiptari i cili banonte në Shqipëri. 

 Rezultatet e Hetimeve në Shqipëri

Nga hetimet e përbashkëta të kryera nga prokuroritë e dy vendeve, është bërë e mundur identifikimi dhe procedimi në Francë dhe në Shqipëri i 19 personave, shtetas shqiptarë dhe të huaj, të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e narkotikëve, sekuestrimi i sasive të konsiderueshme monetare, lëndëve të ndryshme narkotike (heroinë dhe kokainë, si dhe lëndë përzierje), automjete, pajisje elektronike, etj.

 Autoritetet franceze të drejtësisë kanë proceduar me arrestimin e 16 shtetasve shqiptarë dhe të huaj, sekuestrimin e sasisë monetare prej 20.000 euro dhe të 3 automjeteve. 

Për interesa të këtij procedimi penal, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masave të sigurimit personal për 3(tre) persona në hetim, dhe gjykata me vendimin e saj Nr. 66, datë 28.06.2024 ka vendosur pranimin e kërkesës, caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për 3(tre) personat nën hetim. 

Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerët e Xhandarmërisë Franceze (pjesë e Skuadrës së Përbashkët Hetimore)janë ekzekutuar masat sigurimi personal për personat nën hetim që banonin në Shqipëri për shtetasit: R.D., Z.F., F. I. 

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për një llogari bankare në euro. 

Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme, është ekzekutuar masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për llogarinë bankare në euro, në emër të personit nën hetim R.D dhe të shtetasit J.H, të shumës monetare prej 20.000 (njëzetmijë) euro.

 Prokuroria ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, edhe kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës, dhe nga janë ekzekutuar 10 (dhjetë) vendimet e gjykatës dhe janë realizuar kontrolle (banesash, biznesesh, automjetesh, dhe personash). 

Pas kontrolleve të ushtruara në territorin shqiptar, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:

·         15 automjete,

·         34.270 euro cash,

·         1000 franga zviceriane,

·         180.000 lekë të reja,

·         9 aparate celularë,

·         3 tableta,

·         1 kamerë, dokumente dhe karta SIM.

 Vlera e lëndëve narkotike të sekuestruara tejkalon vlerën prej 1 milion euro.

Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale. 

Një falenderim i veçantë i drejtohet Eurojust, Europol, Xhandarmërisë Franceze, si dhe Atasheut të Sigurisë së Brendshme të Ambasadës Franceze në Shqipëri, të cilët kanë mbështetur dhe ndihmuar SPAK.