Rojet bregdetare italiane të Barit në bashkëpunim me ato të Tarantos kanë sekuestruar në ujërat italiane 170 kg marijuanë, të dyshuara se kanë ardhur nga Shqipëria.

Droga po transportohej e paketuar në thasë të mëdhenj plastikë në bordin e një gomoneje që udhëtonte nga brigjet e Shqipërisë drejt Italisë, dhe sapo skafistët kanë nuhatur praninë e Policisë italiane, kanë braktisur lëndën narkotike në mes të detit duke ndryshuar drejtimin e duke u kthyer drejt brigjeve shqiptare.

Policia financiare italiane ka sekuestruar në det sasinë e lëndës narkotike dhe ka lajmëruar autoritetet shqiptare për gomonen me skafistë që lundruan drejt brigjeve shqiptare.

Prokuroria italiane ka nisur hetimet për këtë trafik.