Nga shtatori shkëmbimet tregtare mes 6 vendeve të Ballkanit, Shqipërisë, Bosnjë Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kroacisë do të jenë të lira dhe të përjashtuara nga taksat.

Këto shtete kanë mbështetur propozimin e kryeministrit Edi Rama në Samitin e Parisit, i cili ka sugjeruar shtrirjen e praktikes që po zbaton Tirana me Prishtinën,  për t’i dhënë shtysë bashkëpunimit ekonomik, përmes tarifave zero.

“Është një plan i përqafuar menjëherë nga qeveria e Serbisë dhe qeveritë e tjera, e ne po përgatitemi ta lançojmë së bashku në muajin shtator, të bindur që do të sjellë një impakt pozitiv në rritjen e përbashkët të volumeve tregtare në rajon dhe padyshim dhe në rritjen ekonomike të vendeve të rajonit”, tha Rama.

Nga marrëveshja e firmosur në Paris, Shqipëria është përfituese direkte e 35 milionë eurove për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, nga 85 milionë që është në total vlera e projektit.

Në Tiranë do të ngrihet gjithashtu Zyra Rajonale të Bashkëpunimit Rinor një nismë e kryeministrave të Shqipërisë dhe Serbisë, për funksionimin e të cilës BE-ja dha 1 milion euro ndërsa 1 milion të tjera do të jenë kontribut i vendeve të rajonit.

Në samit u mbështetën edhe dy projektet e tjera që kanë të bëjnë me modernizimin e hekurudhës Nish-Dimitrovgrad-kufiri me Bullgarinë, me një grant 44 milionë Euro, dhe projekti nga Kosova për rehabilitimin e Hekurudhës Fushë-Kosovë-Mitrovicë, që do mbështetet me një grant prej 17 milionë eurosh.