Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor vijon kontrollet në të gjitha subjektet për të monitoruar respektimin e masave anticovid sipas protokollove të përcaktuara shëndetësore për parandalimin e përhapjes së epidemisë në vendin tonë. 

Drejtorja e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, Vjollca Braho apelon subjektet të mos ulin vigjilencën, por të resektojnë në mënyrë rigoroze masat strikte të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa deklaron se  nuk do të tolerohet asnjë shkelje nga ana e tyre. 

“Ne kemi qenë në terren në të gjitha këto subjekte, por shikojmë një shkujdesje nga ana e subjekteve për masat mbrojtëse, siç janë maskat dhe dorezat. Ne i kemi këshilluar këto subjekte, por nga dita e sotme toleranca jonë do jetë zero dhe do ndëshkohet çdo subjekt që nuk i zbaton këto masa. Iu bëj thirrje të gjitha subjekteve për marrjen e këtyre masave për të parandaluar përhapjen e Covid19,” shprehet Braho. 

Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka kryer deri më tani 67320 inspektime për të parandaluar përhapjen e Covid 19, si dhe ka vendosur 205 masa administrative ndaj atyre subjekteve, të cilat kanë qenë në shkelje të protokolleve të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë.​​