Nga sot nisin disa lehtësime në fashën e orarit të lëvizjes së qytetarëve dhe bizneseve të lejuara, por nga ana tjetër janë rritur masat penale.
Fasha orare do të zgjatet deri në 17.30 për qytetarët, shërbimet ushqimore, farmacitë dhe bankat. Ndërsa autorizimet për leje-dalje për pazar do të jenë 90 minuta.
Por duke nisur nga e premtja 17 prill ora 17:30 deri të hënën ora 05:00 gjithçka do të jetë e mbyllur. Ky është urdhri më i ri që ka nxjerrë qeveria në kuadër të forcimit të masave.
Siç thuhet dhe në urdhër, nga e premtja 17:30 deri të hënën 05:00 nuk do të ketë asgjë hapur, ndërkohë që fundjava do të jetë e mbyllur për qarkullimin e këmbësorëve dhe të mjeteve.
Ndërkohë këtë javë do të publikohet paketa e dytë financiare. Po sot do të ketë një plan të detajuar për hapjen e rrugës së riatdhesimit, por me kushtin e karantinimit 14-ditor.
Qeveria shqiptare e sheh fundin e muaji maj si një afat kohor optimist për të dalë nga faza e parë e përballjes me COVID-19.





