Instrumentistët pjesëmarrës në Bienalen “Netët e Muzikës Klasike” në Durrës janë ndalur sot në mjediset e spitalit rajonal të Durrësit. Në vijim të progamit “Muzika jashtë sallave” ata kanë luajtur në hollin kryesor të këtij spitali “Serenatën nocturne” nga Moxart për pacientët, familjarët e tyre dhe personelin mjeksor.
Në tre edicionet e fundit të Bienales së Durrësit kanë qenë mysafirë në shtëpinë e fëmijës së qytetit, si dhe në repartet e pediatrisë dhe patologjisë së spitalit rajonal.
Grupi instrumental “Siglo XX” i drejtuar nga Florian Vlashi, me pjesmarrjen e Irina Nanushit, Arben Llozit dhe Rediana Lukaçit një natë më parë interpretuan në kishën “Shën Luçia”. Kisha 150-vjeçare, e saporestauruar priti koncertin e artistëve të njohur ende pa nisur rishtazi funksionet e saj fetare.
Artistët luajtën veprën e Jozef Hajdenit (1732 – 1809) të titulluar “Shtatë fjalët e fundit të Krishtit në Kryq”. Bashkë me muzikën e shtatë sonatave dhe interpretimin e mrekullueshëm artdashësit durrsakë duartrokitën edhe tekstet e përzgjedhura nga vepra e Nënë Terezës dhe të lexuara nga prof. Përparim Kabo.
Sot në mbrëmje Bienalja muzikore i është dedikuar artit të liuterisë, si art i transformimit të materies në tingull, përmes një leksioni nga liuteri shqiptar, Edmond Sinani. Bienalja 2017 do të vazhdojë deri më 8 gusht.