Amnesty International theksoi si shqetësime në lidhje me gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri sulmet fizike dhe verbale kundër gazetarëve, vrasjen e grave në dhunën me bazë gjinore brenda familjes dhe ndërtimin e kampeve për burgosjen e refugjatëve azilkërkues që Italia po ndërton aktualisht në portin e Shëngjinit dhe në ish-aeroportin ushtarak të Gjadrit.
Amnesty, një nga organizatat më të mëdha të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në botë, publikoi të mërkurën raportin e saj mbi gjendjen në 155 vende të vrojtuara, përfshirë Shqipërinë. Raporti vëren se autoritarizmi është një forcë në rritje në rang global dhe se numri i njerëzve që jetojnë në shtete demokratike, pra shtete të së drejtës apo shtete të sundimit të ligjit, ra gjatë vitit të kaluar në nivele që nuk ishin parë që nga viti 1985.
“Praktikat dhe idetë autoritariste prekën apo u përdorën nga shumë qeveri dhe shoqëri. Në veri dhe në jug, në lindje dhe në perëndim, politikat autoritariste gërryen lirinë e shprehjes dhe të organizimit shoqëror, goditën barazinë gjinore dhe luftuan të drejtat seksuale apo riprodhuese,” vëren raporti.
Raporti shënjon mënjanë si shqetësim madhor zhvillimet në Lindjen e Mesme, kur krimet rrëqethëse të Hamas të kryera në 7 tetor 2023, në të cilën u vranë mbi njëmijë njerëz, shumica civilë izraelitë dhe mijëra të tjerë u plagosën e 245 vetë u morën peng, Izraeli nisi një fushatë hakmarrëse e cila, sipas Amnesty, u bë një fushatë ndëshkimi kolektiv. “Kjo është një fushatë e bombardimit të qëllimtë dhe jodiskriminues të civilëve dhe të infrastrukturës civile, të mohimit të asistencës humanitare dhe të krijimit të qëllimtë të gjendjes së urisë,” vëren raporti.