Policia në Kolumbi arriti të arrestojë një nga më të shumëkërkuarit shqiptar të Interpolit. Në operacionin që ka ndodhur ditën e djeshme, në pranga ka rënë Deniz Klironomi, nga Durrësi.

Në Kolumbi 45-vjeçari shqiptar njihet me pseudonimin “Gucci” dhe akuzohet nga autoritetet vendase se ka lidhje të forta me grupin kriminal “Los Pachenca”, i cili kryen krime në bregun verior të Kolumbisë.

Klironomi ndodhej në kërkim pasi akuzohet për trafik droge, trafikim të qenieve njerëzore, përdorim dhe armëmbajtje pa leje.

Dyshohet se në momentin e arrestimit ai ka pretenduar të jetë nga Kosova, por agjentët nuk kanë rënë pre e kësaj historie, pasi “Gucci” përveçse në Shqipëri kërkohej edhe në Evropë, ndaj informacioni që Interpoli ka pasur për të ka qenë shterues.

Kolonelja Olga Salazar që mban postin e drejtoreshës së Policisë Dijín, të cilët bënë edhe arrestimin në një apartament në Barranquilla”, zbuloi se shqiptari është mbajtur nën vëzhgim për rreth 7 muaj, por kishte aftësinë të zhdukej sepse çdo muaj ndryshonte vendbanimin.

Madje në apartamentin e ri, “Gucci” nuk doli për rreth një javë as në dritare, derisa më në fund u arrit të kapej një foto e tatuazhit dallues që ka në krahun e majtë, çka lejoi agjentët që ta identifikonin dhe të ndërhynin për t’i vënë prangat.

Sipas mediave kolumbiane ai po mbahet në një burg në Bogota dhe ka nisur ndërkohë përgatitja e procesit të ekstradimit të tij drejt Evropës ose Shqipërisë.

Ato kanë publikuar gjithashtu pamjet e arrestimit, ku 45-vjeçari shoqërohet nga disa oficerë dhe mban veshur një bluzë të zezë të firmës prestigjoze “Balenciaga”, duke ‘tradhtuar’ “Guccin”.

Dosja kriminale e Deniz Klironomit:
Deniz Klironomi, lindur ne Durrës, 45-vjec, i njohur edhe me mbiemrin Xhija por edhe me mbiemrin Floroiu. Është i kërkuar nga policia e Durrësit, i dënuar me 6 vjet e 6 muaj burg për “vrasje me dashje e mbetur ne tentative” pasi më 26 Janar të vitit 2015, në një lokal në lagjen 7 në Durrës teksa po drekonte me tre shokë, u konfliktua me njërin prej tyre dhe nxori pistoletën për ta ekzekutuar në vend. Gjendja midis tyre u acarua së tepërmi, dhe

Deniz Klironomi menjëherë u ngrit në këmbë dhe nxori nga brezi pistoletën që mbante me vete pa leje të organeve shtetërore. Menjëherë ka ndërhyrë njëri prej personave që ndodhej në tavolinë, duke i devijuar dorën të pandehurit Deniz Xhija. Nga ndryshimi i drejtimit të qitjes, plumbi dëmtoi në pjesën e qafës një person që ndodhej i ulur në një tavolinë tjetër të lokalit dhe që nuk kishte lidhje me konfliktin.

Deniz Klironomi është akuzuar nga nëna e shtetasit Renato Hamza ose “Reni Elbasanit”, person i zhdukur prej 2014, se ka marre pjesë ne zhdukjen e tij së bashku me shtetasin Indrit Shaqja, aktualisht në burg i dënuar për dy vrasje.

Deniz Klironomi

Klironomi është dënuar ne Rumani me 11 vite burg nga Gjykata e Tulcea për “trafik njerëzish” dhe “trafik droge” pasi midis shkurtit dhe korrikut 2012, së bashku me Mihai Misirelicu, krijuan dhe koordinuan një grup kriminal të organizuar me qëllim rekrutimin dhe shfrytëzimin seksual të të miturve në Rumani, Belgjikë dhe Gjermani. Në këtë kuptim, ata transportuan dhe strehuan në Rumani, dy të mitura, të dyja duke ditur se dy vajzat nuk kishin mbushur moshën 18 vjeç, duke i transferuar më pas në Belgjikë dhe Gjermani me qëllim shfrytëzimin e tyre nëpërmjet ushtrimit të prostitucionit. Dy të pandehurit kanë ushtruar forma të ndryshme kërcënimi, dhune dhe shtrëngimi, duke përfituar nga pamundësia e të miturës për t’u mbrojtur dhe shprehur vullnetin e saj.

Në 14 mars 2010, Catalin Bejenaru, banakieri i një lokali ne Rumani, u ankua se dy persona, përkatësisht Mihai Mişirelicu dhe Deniz Xhija, qëlluan me armë zjarri ndaj tij. Të dy u përpoqën të iknin, madje arritën të dilnin edhe nga qarku. Ata u kapën të nesërmen në një banesë në Galati. Djemtë u shprehën se nuk kishin ndërmend ta dëmtonin banakierin, por vetëm ta trembnin, për t’i treguar se nuk bënin shaka pasi ai nuk pranoi t’i shërbente. Pas 10 muaj burgim ata u liruan pasi Gjykata e Tulceas vendosi që secili prej tyre të dënohej me tre vjet burg, me kusht.