Prokurorja e posaçme Doloreza Musabelliu, njëkohësisht kandidate për drejtimin e SPAK, ka bërë një përmbledhje të disa prej dosjeve më të rëndësishme që ka hetuar gjatë karrierës së saj në sistemin e drejtësisë.
Musabelliu theksoi se në vitin 2015, për herë të parë në vend, u identifikua trafiku ajror i lëndëve narkotike, një çështje që solli dënimin me vendim të formës së prerë të personave të përfshirë.
Ajo nënvizoi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet franceze dhe italiane në hetimin e dosjeve të trafikimit të qenieve njerëzore.
Prokurorja Musabelliu bëri me dije se pas vitit 2014 i është dhënë mundësia të hetojë edhe çështje që lidhen me korrupsionin në sistemin e drejtësisë.
Doloreza Musabelliu: Në 2015 për herë të parë u evidentua trafiku ajror i drogës. Personat u dënuan me vendim të formës së prerë.
Kam bashkëpunuar me autoritetet franceze dhe italiane për dosjet e trafikimit të qenieve njerëzore.
Kam patur në hetim një numër të konsiderueshëm vrasjesh.
Pas 2014 kam pasur mundësi të hetoj çështje penale të korrupsionit të funksionarëve të drejtësisë.
Mund të përmend procedimin ndaj 6 të pandehurve, ku njëri është ish gjyqtar.
Procedimin në vitin 2016 ndaj një gjyqtari, i dënuar me vendim të formës së prerë. Në 2019, një dosje ku i pandehur ka qenë një ish prokuror.
Kam hetuar procedimin 209 i vitit 2020 që ka qenë për vrasje me paramendim, ndaj tre të Pandehurve që janë dënuar me burgim të përjetshëm.
Çështja penale në 2021 dhe 2022 ku janë lidhur marrëveshje me të penduarve të drejtësisë.





