DURRËS, 18 gusht 2014 –  Pasi mësoi spanjisht në gadishullin Iberik, Kolumbi, El Salvador e Bolivi; italisht në Romë e Vatikan dhe shqip në Tiranë, një nga diplomatët më të sukseshëm amerikanë, z. Todd D. Robinson u emërua nga Shtëpia e Bardhë ambasador në Guatemalën e dy nobelistëve, Miguel Ángel Asturias për letërsinë dhe Rigoberta Menchú për paqen.

Pjesa më e madhe e karrierës së Robinsonit ka kaluar në Amerikën Latine. Emërimet e para jashtë shtetit ishin në Kolumbi në 1987 dhe El Salvador në vitin 1989, duke u kthyer në Uashington në vitin 1991.

Robinsoni u dërgua në Romë në vitin 1993 si asistent i ambasadorit të SHBA-së në Itali.

Në vitin 1995, ishte zyrtar politik në misionin të në Selinë e Shenjtë (Vatikan).

Robinson u dërgua përsëri në Amerikën Latine në vitin 1997 si zyrtar politik në ambasadën e SHBA-së në La Paz, Bolivi.

U kthye në SHBA në vitin 1999 si ndihmës i posaçëm i Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.

Në vitin 2000, Robinson u emërua zëvendëskëshilltar për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën e SHBA në Republikën Domenikane.

U kthye në Evropë në vitin 2004 si shef i seksionit politik dhe ekonomik në ambasadën amerikane në Tiranë.

Në Shqipëri shërbeu në vitet 2004-2006, kur ambasadore e jashtëzakonshme dhe fuqiplote ishte zonja Marcie B. Ries.

Ishte periudhë delikate: momentet e fundit të z. Fatos Nano, dhe ditët e para të z. Sali Berisha.

Z. Robinson u emërua konsulli i përgjithshëm në Barcelonë, Spanjë në vitin 2006.

Në vitin 2009, u dërgua në Guatemalë si zëvendësshef i misionit, duke shërbyer atje deri në vitin 2011.

U kthye në Uashington si zëvendës i ndihmësit të sekretarit të shtetit në byronë për çështjet e luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve dhe zbatimit të ligjit [the Bureau of International Narcotics and Law Enforcement Affairs].

Është interesant se z. Robinson, që zotëron shkëlqyeshëm spanjishten, italishten dhe shqipen, ka një përvojë për luftën kundër drogës në shkallë ndërkombëtare, pasi ka shërbyer në zonat e orgjinës së narkotrafikut nga Kolumbia në Shqipërinë e Lazaratit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/