Në këto ditë vetizolimi për pjesën më të madhe të qytetarëve, pas masave drastike të ndërmarra nga qeveria për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, nevoja për mesazhe pozitive është më e domosdoshme se kurrë.
Këtë duket se e ka kuptuar dhe një vogëlushe nga Durrësi, Trejsi Drasa, e cila ka një mesazh për të gjithë, të cilin e përcjell përmes videos së mëposhtme.
Nga shtëpia e saj, ku qëndron e vetizoluar së bashku me prindërit, nxënësja e klasës së V-të të shkollës “Ibrahim Kodra”, na kujton shprehjen e shqiptares më të njohur në botë, Nënë Terezës.
“Dashuria fillon duke u kujdesur për më të afërmit”, citon Trejsi, Nënë Terezën, ndërsa më pas përcjell mesazhin që i del nga zemra: Dhurojini sa më shumë dashuri njerëzve tuaj të zemrës!
Më tej, në video, instrumentistja e vogël luan për të gjithë ne një pjesë në piano, duke na kujtuar se dhe nga vetizolimi të gjithë mund të bëhemi të dobishëm dhe kohën e lirë në dispozicion mund ta shfrytëzojmë për të përcjellë mesazhe pozitive dhe inkurajuese.
“Bashkë do t’ia dalim. Forca njerëz”,– thotë Trejsi.





