Itali, 27 prill 2014 – Një ngjarje e denjë për një skenar filmi është regjistruar në kryeqytetin italian Romë. Një i moshuar 74 vjeçar ka therrur me thikë një prostitutë 56 vjeçare, sepse nuk donte që ajo të vazhdonte më këtë zanat.
Çifti ishte i lidhur prej mëse një viti, por mesa duket xhelozia e të moshuarit e kishte shtyrë 56 vjeçaren të ndahej prej tij. Ajo ishte e papunë dhe përfitonte një ndihmë ekonomike prej vetëm 200 euro. E ndodhur në këto kushte ka nisur të prostituonte.
Por ky veprim i 56 vjeçares ka nxitur reagimin e të moshuarit që kundërshtonte faktin që ish e dashura e tij të prostituonte. Mjaft herë ai e kishte ndjekur deri tek vendi i punës për ta detyruar të ndalej. Një ditë më parë ka kryer të njëjtin ritual dhe pasi ka ngulur këmbë duket se e ka bindur 56 vjeçaren të futej në makinën e tij për të shkuar diku për të biseduar.
Kur kanë qenë vetëm, i moshuari ka nxjerrë një thikë që mbante me vete dhe ka nisur ta godasë. Gruaja ka mundur t’a ndalë dhe e plagosur është larguar nga makina. Por i moshuari nuk është ndalur. E ka ndjekur dhe më pas e ka goditur sërish duke i shkaktuar plagë të shumta në qafë dhe trup.
Një dëshmitar okular ka thirrur policinë. Gruaja është shoqëruar për në urgjencë, ndërsa i moshuari për në komisariat. Për shkak të moshës, karabinierët janë detyruar ta lënë në arrest shtëpie. Madje vetë i moshuari u ka bërë karshillëk karabinierëve duke u thënë: S’keni çfarë të më bëni. Jam shumë i vjetër për të më çuar në burg.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





