Ky është Shpend Lima, polici bashkiak i Shijakut i cili u plagos mbrëmjen e së martës pas një atentati që iu bë në hyrje të pallatit. Lima u plagos me një plumb në gjymtyrët e poshtme, ndërsa kthehej në banesën e tij në Shijak. Ai u dërgua menjëherë në spitalin e Durrësit, dhe falë ndërhyrjes së mjekëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia tha mbrëmë se ngjarja ndodhi pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, por sipas hetimeve paraprake të grupit hetimor që po merret me këtë çështje, mësohet se 43-vjeçari ka pasur konflikte për një vajzë me personin që është shoqëruar tashmë në polici si autor i dyshuar i ngjarjes.
Burime nga grupi hetimor thanë për gazetën “Panorama” se “i plagosuri ka ngacmuar një vajzë në Shijak dhe ky dyshohet se është shkaku i konfliktit”.
Sipas hetimeve, autorët kishin zënë pritë në një rrugicë në afërsi të pallatit të policit, dhe duke shfrytëzuar edhe errësirën, sapo shënjestra është afruar, kanë qëlluar në drejtim të tij.
43-vjeçari ishte ndarë prej pak kohësh nga bashkëshortja.





