Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka mbedhur në takim të gjithë drejtuesit e shërbimit Psiko-Social të 61 bashkive në vend për shkak të rritjes së ngacmimeve seksuale në shkolla.
Në një njoftim për mediat, thuhet se Kushi ka kërkuar që të mos neglizhohet asnjë rast kërcënimi nga ana e drejtuesve të shkollave apo mësuesve ndaj nxënësve.
Ajo gjithashtu ka kërkuar bashkëpunimin e prindërve dhe të nxënësve që të denoncojnë çdo rast ngacmimi seksual.
“Nuk mund të mbyllim sytë në asnjë mënyrë përballë punonjësve, drejtuesve të shkollave apo mësuesve që përbëjnë kërcënim për nxënësit. Aktualisht numri i punonjësve të shërbimit psiko-social është dyfishuar, janë bërë trajnime për të siguruar mjedise sa më familjare në shkollë”, ka thënë Kushi.
Rastet e ngacmimeve seksuale në shkolla është rritur ndjeshëm në vend, ku rasti më i fundit ishte në shkollën e fshatit Stropckë në Pogradec, në të cilën drejtori i shkollës ngacmonte seksualisht nëpërmjet telefonit dy vajza të mitura.