Një incident i pazakontë është regjistruar në Qarkun e Elbasanit gjatë shpërndarjes së materialeve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të së dielës. Burime në terren bëjnë me dije se komisionerët në fshatrat Mlizë dhe Labinot kanë ngatërruar kutitë e votimit dhe materialet shoqëruese, duke shkaktuar konfuzion të madh në proces.
Ngjarja është zbuluar gjatë dorëzimit të materialeve në qendrat përkatëse dhe ka ngritur shqetësime mbi përgjegjësinë ligjore dhe profesionalizmin e komisionerëve. Fletët e votimit, listat e zgjedhësve dhe dokumentacioni teknik janë dërguar gabimisht në qendrat e tjera, në kundërshtim me protokollet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Autoritetet lokale janë vënë në lëvizje për të korrigjuar gabimin dhe për të garantuar vazhdimësinë e procesit pa vonesa, ndërsa ekspertë të zgjedhjeve e kanë cilësuar ngjarjen si një shkelje të rëndë që mund të ndikojë në legjitimitetin e votimit në këto zona. Deri tani nuk raportohet për masa ndaj komisionerëve, por situata po monitorohet nga afër nga institucionet përkatëse.





