Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Apelit në Durrës, Arjan Balliu. 

Sipas KPK gjyqtari Balliu kishte probleme me pasurinë pasi nuk kishte burime të ligjshme për të justifikuar atë.

Balliu u përball në seancën dëgjimore të 11 nëntorit me KPK për një raport negativ financiar, dyshimet për konflikti interesi, fshehje pasurie dhe për deklarim të rremë.

Edhe pse Balliu kundërshtoi gjetjet dhe kërkoi rivlerësim në të 3 shtyllat kryesore të Vettingut, sot Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi shkeljet dhe si rrjedhojë vendosi ta shkarkonte nga detyra.

Arjan Balliu e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1993 dhe ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës deri në vitin 2000. Më pas, Balliu ka punuar si drejtor i Lojërave të Fatit në Ministrinë e Financave.

Nga viti 2004 Balliu ka ushtruar profesionin e avokatit, ndërsa në vitin 2009 është emëruar inspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai është rikthyer në sistemin gjyqësor në vitin 2013 si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Durrësit, detyrë të cilën e kryen edhe aktualisht.