·        Kronika e një “beteje” midis koncesionarit turk dhe krerëve shqiptarë të transportit

·        Kokëfortësia fillestare e z. Selim Belortaja / Edmond Haxhinasto dhe kthesa e papritur

·        Një “kurban” diplomatik në 102-vjetorin e ngritjes së flamurit të Pavarësisë?

Nga Gjergj Thanasi & Thanas Mustaqi

DURRËS, 4 dhjetor 2014 –  Si dhënia ashtu dhe vazhdimi i punës në koncesionet e portit të Durrësit është shoqëruar me mistere e shkelje ligjore, kokëfortësi, shantazhe që nga piramida e administratës shtetërore nga Tirana deri në Durrës, sikurse ka ndodhur dhe me terminalin e kontejnerëve DCT (Durres Container Terminal).

Ka qenë problematik bllokimi i një vinçi, i cili, pa mbërritur ende në portin e Durrësit, është konsideruar si i papërshtatshëm për sigurinë e kalatës.

Është pohuar se për mjetin e fuqishëm ngritës ka pasur ndërhyrje politike dhe urdhra nga lart, të cilat nuk do të zbatoheshin në kurriz të sigurisë teknike.

Por, si me magji, pas 5 muajsh “ngrirjeje”, në harkun e 24 orëve, 17-18 nëntor 2014, gjithçka u “shkri”.

Nuk kuptohet kthesa e papritur e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës (APD) z. Selim Belortaja, që thoshte jo, teksa lejoi instalimin e vinçit në DCT, më 18 nëntor 2014.

Mbetet të sqarohet nëse kjo “gurgule” u bë me nismën vetjake të z. Belortaja apo me urdhër të ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës z. Edmond Haxhinasto, i cili ka të gjitha prerogativat e mbarëvajtjes / bllokimit të koncesion/-it/-eve.

“Dyrrah”-u zbardh një pjesë të kronikës së kësaj ngjarjeje misterioze, e mbyllur me “happy end”, më 26 nëntor 2014, datë që përkon me 102-vjetorin e ngritjes së flamurit në Durrës, teksa kryebashkiaku z. Vangjush Dako shtron një drekë pune për një delegacion të parlamentit turk.

10 qershor 2014. 

Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i APD, z. Selim Belortaja i drejton shkresë z. Mesut Janar (Yanar):

“Në përgjigje të shkresave të DCT-së nr. 395 dhe 399 të datës 6 qershor 2014, bëhet e ditur se departamenti inxhinierik i APD-së mori në shqyrtim kërkesat për porositjen dhe sjelljen e vinçit të markës TEREX modeli MHC 5150 dhe konkludoi se tregues të këtij vinçi e bëjnë të palejueshëm instalimin në kalatën ku operon DCT”.

Njëkohësisht shkresa e sipërcituar shoqërohej me relacionin teknik mbi kërkesën e “DCT” për furnizimin me vinçin “MHC 5150” me peshë totale 481 tonë, hartuar po më 6 qershor 2014, kur mbërriti shkresa e DCT-së, nga drejtoria e zhvillimit.

Sipas relacionit të nënshkruar nga 7 inxhinierë me në krye zëvendësdrejtorin e përgjithshëm Artjan Qirici, “ky vinç nuk mbështetet plotësisht në strukturën e kalatës 6 të portit të Durrësit, ku kërkohet të operojë”.

Argumentet teknike: “Konkretisht shputat e vinçit nga e sheshit, të cilat transmetojnë ngarkesën maksimale për rastin kritik të barabartë me 46,9 tonë/m2 (sipas katalogëve që ka sjellë DCT-ja), nuk mbështeten plotësisht mbi trarët betonarme të ndërtuar mbi pilota, të llogaritura për këtë qëllim, por vetëm me 35% e sipërfaqes së tyre. Dhe 65% e sipërfaqes së shputave mbështet për më keq mbi kanalin elektrik, i cili mund të përballojë ngarkesën maksimale prej 4 tonë/m2. Nga një përllogaritje e thjeshtë 46,9 tonë/m2 x 65% = 30.485 tonë/m2 (shumë më e madhe se 4 tonë/m2). Theksojmë se kjo vendosje e vinçit e bën operimin me të në terminal jashtë standardeve të marra në konsideratë nga projektuesi teknik, si dhe cenon sigurinë e strukturës së kalatës 6 (aset i APD-së).

Për arsyet e sipërpërmendura, jemi të mendimit që vinçi MHC 5150 nuk është i përshtatshëm për operimin në kalatën 6 (kalata e Terminalit të Kontejnerëve)”.

29 qershor 2014.

Dispeçeria e portit të Durrësit nuk ka lejuar futjen në përpunim të anijes “Tramper”, me një vinç të markës “Terex MHC 5150”, prodhim italian i vitit 2014, me peshë vetjake 440 tonë dhe aftësi ngritëse 150 tonë, me zero orë pune, porositur nga koncesionari turk i DCT-së.

“Dyrrah”-u bisedoi me administratorin e DCT-së z. Mesut Janar (Yanar). Ishte tejet i habitur me bllokimin:

“Nuk e kuptojmë situatën. Jemi në siklet se si t’ua shpjegojmë italianëve këtë që po ndodh. Po bëhemi padrejtësisht rezil në sytë e prodhuesve të vinçit. Nuk e di se si do të vazhdojë kjo histori. Po na bllokohet padrejtësisht vinçi dhe puna”.

I pyetur lidhur me mosmarrëveshjet e mëparshme për rrezikshmërinë e dëmtimit të kalatës nga vinçi i blerë në Turqi, z. Janar sqaroi:

“Për vinçin e blerë në Itali, janë hartuar raporte teknike nga universiteti publik Politeknik dhe ai privat Epoka të Tiranës, që garantojnë se mjeti i fuqishëm ngritës u përgjigjet parametrave, që kërkon kalata”.

Gjithsesi, vinçi u shkarkua në Terminalin Lindor, ku qëndroi pa u vënë në funksionim deri në mes të nëntorit 2014.

17 nëntor 2014.

Dy gazetarë të “Dyrrah”-ut, pasi dështuan të merrnin prononcimin e menaxherit të DCT, z. Mesut Janar, biseduan me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës, z. Artjan Qirici, i cili tha se, me gjithë modifikimin e bërë nga firma prodhuese, vinçi nuk mund të operonte në kalatën nr. 6, sipas specialistëve shqiptarë.

“Dyrrah”-ut i tërhoqi vëmendjen thënia e ing. Qiricit se “problemet teknike [të modifikimit të vinçit dhe aftësia mbajtëse e kalatës 6] nuk zgjidhen as politikisht, as me direktivë”.

Z. Qirici, e regjistroi bisedën me celular, por nuk sqaroi më tej se ç’kuptonte me zgjidhje politike apo me direktivë.

Mund të spekulohet për ndonjë trysni diplomatike në krerët e dikasterit, që drejtohet nga LSI-a, të cilët mund t’i kenë dhënë direktivë ing. Qiricit (përfaqësues i PS-së rezident në Tiranë, ndonëse dihen marrëdhëniet e mira të koncesionarit turk-maltez me kryebashkiakun socialist të Durrësit, z. Vangjush Dako) për të mos vazhduar më me bllokimin e vinçit.

Nata, 18 nëntor 2014.

“Dyrrah”-u fotografoi transferimin e vinçit “Terex MHC 5150” nga Terminali Lindor në kalatën nr. 6.

26 nëntor 2014.

“Dyrrah”-u kontakton drejtorin e përgjithshëm ekzekutiv të APD Durrës, ekonomist Selim Belortja (LSI):

“Vinçi është vënë në punë dhe plotëson të gjithë parametrat teknikë për sigurinë në kalatën 6”.

 “Dyrrah”-u kontaktoi edhe me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm ekzekutiv të APD, inxhinier Artjan Qirici (PS): “Vinçi është në punë në kalatën nr.6”.

“Dyrrah”-u: “Ju, më 17 nëntor 2014, deklaruat: “Megjithë modifikimin e bërë nga firma prodhuese, vinçi nuk mund të operojë në kalatën nr. 6, sipas specialistëve shqiptarë”.

Ing. Qirici: “Është e vërtetë, ashtu thashë. Por të nesërmen, më 18 nëntor 2014, morëm konfirmimin me shkrim dhe garancinë e prodhuesit, që kishte bërë modifikimin, se vinçi nuk dëmton kalatën nr. 6. Së bashku me DCT-në, policinë, forcën e sigurisë, koncesionarët e Terminaleve Lindore dhe Trageteve realizuam me sukses lëvizjen nga kalata lindore në terminalin e kontejnerëve. Ky është një lajm i gëzuar”.

“Dyrrah”-u: “Mësuam se DCT-ja dëshiron të shesë vinçin “Gottwald”i ardhur

më 29 nëntor 2013, por që e bllokuat për të njëjtat arsye si “Terex MHC 5150”.

Ing. Qirici: “Diçka kemi mësuar. Është e drejtë e koncesionarit. Por nuk përjashtohet që edhe këtë vinç ta modifikojë dhe të vazhdojë punën në Durrës”.

Epilog, po më 26 nëntor 2014.

Pasdite, kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, pasi ka ngritur në një ceremoni festive, në 102-vjetor, flamurin e pavarësisë, ka pritur në një takim kryetarin e parlamentit të Republikës të Turqisë, Xhemil (Cemil) Çiçek dhe delegacionin që e shoqëronte. Dako ka shtruar një drekë pune në restorant “Picante”. Kjo pjesë e vizitës është mbajtur larg syrit të medieve vendore, madje nuk janë shpërndarë as foto për të marrë vesh se kush ishin të pranishëm, ndonëse “Dyrrah”-ut iu tha larg e larg, nga burime bashkiake, se në drekë kishte edhe qytetarë turq që banojnë dhe punojnë në Durrës.

Pas drekës në “Picante”, “Dyrrah”-u ka kontaktuar në amfiteatër me një anëtar të delegacionit, deputet, i cili i ka konfirmuar njohjen e tij me z. Zeki Kaja (Kaya), administrator dhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të “Durrës Container Terminal” SH.A.

Shënim: Për vinçin “Gottwald” DCT-ja bëri një kurban. Mos vallë dreka e 27 nëntorit 2014 ishte “kurban” modern për “Terex MHC 5150”?

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/