Ngërçi me pagat e magjistratëve ka sjellë tensione në sistemin gjyqësor. Sot më 10 shtator në orën 10:00, gjyqtarët do të mblidhen në mënyrë urgjente pranë KLGJ-së për të diskutuar situatën.

Ndërkohë, administrata dhe sekretaritë e Gjykatës së Tiranës kanë pezulluar shërbimet, duke kërkuar zgjidhjen e problemit të pagave.

E njëjta situatë është edhe në gjykatat e Vlorës, Fierit dhe Lushnjës, ndërsa Gjykata e Apelit ka vendosur të rikthehet në punë.

Ngërçi i krijuar me pagat e gjyqtarëve është kthyer dhe në mollë sherri mes palëve politike në Konferencën e Kryetarëve.

Përfaqësuesit e opozitës kërkuan zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për nxjerrjen nga kolapsi të sistemit të drejtësisë, duke paralajmëruar votën kundër nismës së socialistëve që pritet të miratohet më 17 shtator.

Socialistët ndërkohë insistojnë se kompetencën për përcaktimin e pagave në sistemin e drejtësisë e ka Kuvendi.

“Kemi parashikuar shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji në datën 17 shtator. Atyre që iu djeg barku, që kur iu teket shkojnë e shajnë me libër shtëpie prokurorë dhe gjyqtarë dhe sot mendojnë se duhet të mbështesin pagat e gjyqtarëve. Si qytetar mendoj se, në një shtet demokratik, me ndarje të pushteteve, kompetenca për caktimin e pagave është vetëm e Kuvendit. Prisni të flasë Kuvendi”, tha Balla.

Punonjësit në sistemin e drejtësisë kërkojnë që të kalojë paga për gushtin me rritjen e re, me vendimin e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.