Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, duke folur në takimin “Integrimi fuqizon Shqipërinë”, deklaroi se dialogu është disi i vështirë në Shqipëri.
“Prej 1 viti e gjysmë po diskutojmë reformën në drejtësi. Për arsye të çuditshme dëshira për dialog me deputetët solli reagime. Në një takim me ta, ata më thanë se vendi ka nevojë për kontratë të re sociale. Deputetët duhet ta kishin bërë kontratën e re sociale për vendin, është puna e tyre, ata janë të zgjedhur”.
Vlahutin shtoi më tej se detyra e saj si Ambasadore e BE-së është të informojë për kontekstin dhe për pasojat që sjell mosbërja e reformës në rrugën e integrimit.
“Duhet t’ju them se çfarë ndodh nëse reforma bëhet apo nuk bëhet. Por kontrata sociale është puna juaj, ndaj dhe jeni zgjedhur. Edhe për atë duhet dialog. Dhe që të ketë dialog duhen dy elemente kyçe: Aftësia për të menduar thellë, të kuptoni kush jeni, çfarë doni, gabimet që keni bërë dhe cilat gabime nuk duhet të bëni në të ardhmen. Aftesia e dytë, është respekti ndaj tjetrit”, u shpreh Vlahutin.





