Një ditë pas ngjarjes tragjike në Velipojë, ku humbi jetën 17-vjeçarja Enisa Doda, Drejtoria e Përgjithshme Detare ka marrë një vendim.

Mësohet se kjo Drejtori ka pezulluar përkohësisht lundrimin e mjeteve ujore në Velipojë, ndërsa nuk dihet ende sa do të vijojë ky pezullim

Mbytja e 17-vjeçares e cila ishte me pushime me familjen! Djali doli në breg pas 2 orësh xhiro me motor uji, vajzën e la në det

Adoleshentja Enisa Doda u mbyt, kur po lundronte me një motor uji me 25-vjeçarin Indrit Bajraktari. Ajo kishte shkuar në plazh me pushime me familjen e saj. Rreth orës 14:00 të ditës së djeshme, së bashku me 25-vjeçarin Indrit Bajraktari, ata kishin marrë një motor uji me qira. Pas më shumë se 2 orësh, rreth 16:30, në breg ka dalë vetëm 25-vjeçari, duke lënë të mbytur në ujë vajzën.

Dyshimet për ngjarjen e rëndë kanë lindur nga pronarët e motorit të ujit të cilët nuk i lënë më shumë se 30 minuta motorët dhe kanë nisur kërkimet në det. Ato janë nisur me varkë për të gjetur motorin, por aty kanë takuar të riun i cili në dëshminë e tij ka gënjyer. Ai po kthehej me not në breg dhe kur është pyetur nga pronarët e skafit ka deklaruar se “vajzën e ka marrë xhaxhai i saj”.

Trupi i saj i pajetë është gjetur nga peshkatarët pas rreth 15 minutash dhe nga këqyrja paraprake kishte shenja dhune. 

Doda është me origjinë nga Burreli, por ishte banuese në Bathore. Për ngjarjen nga policia është ndaluar i riu Indrit Bajraktari nga Postriba ku po merret në pyetje. Vijojnë hetimet për të zbardhur të plotë, nëse bëhet fjalë për aksident apo ngjarje kriminale. Referuar njoftimit të policisë, ndaj të riut rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.