Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Durrës, ku një vajzë është plagosur rëndë disa herë me thikë nga një person.
Vajza me iniciale S.V., 34 vjeçe, ka qenë duke hyrë në pallatin ku banon në lagjen nr. 17 pranë Ujësjellësit, kur autori i identifikuar si shtetasi me iniciale M.S. 33 vjeç, banues në Durrës, ka tentuar ta vrasë.
Burime nga policia thanë për “DurrësLajm” se ai e ka qëlluar disa herë me thikë të renë, e për pasojë ajo ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Arsyet e këtij krimi mbeten ende të paqarta, për shkak se edhe vetë vajza nuk pranon të flasë më gjatë para uniformave blu. Ajo ka pohuar thjesht faktin se ka pasur njohje me autorin, por nuk shpjegon se çfarë marrëdhënie kanë pasur ata të dy, apo çfarë motivesh mund ta kenë shtyrë 33-vjeçarin drejt tentativës për vrasje.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:50, ndërsa menjëherë më pas autori është larguar. Policia po punon për kapjen e tij, ndaj të cilit rëndojnë dy akuza: “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
S.L.





