Dy persona janë gjetur të vdekur në një vilë në qytetin e Pejës. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Sipas informatave, rreth orës 15:10, Policia e Kosovës është njoftuar se në rrugën e KFOR-it, në Vilën 03, dy persona janë gjetur pa shenja jete. Menjëherë pas njoftimit, njësitet policore dhe ekipet e emergjencës mjekësore kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e dy viktimave, një femër dhe një mashkull, të moshës së re.
Zëdhënësi i Policisë, Fadil Gashi, ka bërë të ditur se rasti po trajtohet nga njësitet përkatëse policore. Shkaqet e vdekjes ende nuk dihen, ndërsa hetimet po vazhdojnë në koordinim me prokurorinë kompetente.





