Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Prishtinën ka deklaruar se dyshohet që me armë zjarri janë plagosur tre persona në lagjen Lakrishte dhe ndodhen në spital.
Dy të dyshuarit për rastin janë identifikuar. Zëdhënësja ka thënë se këtë informacion e kanë marrë rreth orës 19:00 dhe se tashmë hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e dy personave të dyshuar ( të cilët janë identifikuar) si dhe zbardhjen e plotë të rastit.
“Sot rreth orës 19:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në lagjen Lakrishte në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri janë plagosur tre persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e dy personave të dyshuar ( të cilët janë identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, njofton policia.