19 gusht 2013- Gjatë meshës së të dielës në Kishën “Ringjallja e Krishtit” në Tiranë, kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas ka komentuar ngjarjet e disa ditëve me parë në Përmet, kur autoritetet e zyrës së Përmbarimit nxorrën nga mjediset që shërbenin si Kishë, Priftin, kryqin dhe objektet e shenjta të Kishës Ortodokse, në zbatim të një vendimi të Gjykatës. Kryepeshkopi Anastas tha se kjo ngjarje zgjoi makthin e kujtimeve të dhimbshme të vitit 1967 në Shqipëri, kur komunizmi donte të çrrënjoste besimin fetar, por shtoi se “askush nuk e besonte se një ngjarje e tillë do të ndodhte pikërisht sot në një vend të shenjtë”.
"Unë nuk e di detajet se kush është prapa ngjarjes, por ajo është një fyerje e madhe", tha Kryepeshkopi. “Kush janë ata që duan të na kthejnë në kohë e vende të tjera të prapambetura?” pyeti ai dhe vijoi: “Ata njerëz duhet të jenë të feve të tjera, ose të pafe. Ne respektojmë zgjedhjen e tyre, por ata përdhosën Kishën”. “Njerëz me bluza të zeza s’mund të imponojnë ligjin e tyre”, deklaroi kryepeshkopi dhe siguroi se “Ne nuk mbajmë mëri, po lutemi që ata të kuptojnë gabimin”.
“Përdhosja e Kishës është sakrilegj, që cilësohet vepër penale e dënueshme dhe ngjarja është më e rëndë kur flasim për Evropë të bashkuar”, tha Kryepeshkopi Anastas para besimtarëve në Kishë.
Ai kujtoi se Qeveria ka një marrëveshje me Kishën të vitit 2009, sipas së cilës ajo duhet t’i kthejë Kishës asetet e saj dhe të të mbrojë dhe garantojë lirinë fetare.
Duke përfunduar Kryepeshkopi protestoi për këtë sakrilegj kundër ortodoksisë shqiptare dhe tha se për këtë konflikt ka një zgjidhje, duke u ofruar që të ndihmojë për të. “Ne mund të ndihmojmë për një Qendër Kulturore në Përmet, por Kisha nuk mund të trajtohet në këtë mënyrë”. Kryepeshkopi i ftoi besimtarët për vetëpërmbajtje dhe modesti. “Ne nuk kemi për të heshtur”, përfundoi kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, imzot Anastas.
/Balkanweb/





