TIRANE, 24 qershor 2013 – Një ditë pas zgjedhjeve, me anë të një prononcimi për shtyp kreu i PLD-së Spartak Ngjela dhe njëherësh aleat i PS, ka vlerësuar zgjedhjet ndërsa i ka kërkuar kryeministrit Berisha të pranojë humbjen.

“I urova me gjithë zemër fitoren Edi Ramës. Nuk është fitore vetëm e opozitës, është shumë më e madhe, që në fillim të këtij shekulli populli arrin në rrugën e vetë drejt lirisë dhe demokracisë, gjë madhështore për hapin drejt perëndimit dhe largimin e një regjimi barbar oriental që ka 100 vjet që sorollatet si hije në vend.

Këto votime do të jenë çlirimi përfundimtar, që të papunët të fillojmë shpresën e tyre, i tërë brezi i ri do të jetë i çliruar sepse do t`u kthehet dinjiteti. Po ikën një zgjedhë e madhe nga Shqipëria dhe shqiptarët e treguan se po shkojnë drej integrimit Evropian dhe po flakin tej mbeturinat historike.

Sa më shpejt të pranojë humbjen ky kryeministër që ka qeverisur 4 vjet pa vota, aq më mirë do të ishte për të dhe aq më mirë për shoqërinë”, u shpreh Ngjela.