Tiranë, 15 qershor 2014 – Avokati Spartak Ngjela ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se është duke u sjellë si Enver Hoxha kundrejt Perëndimit. Në një postim të bërë në profilin e tij në Facebook, Ngjela thotë se Rama nuk po plotëson kushtet e kërkuara për integrimin.

Rama ka filluar që të flasë njëlloj si Enver Hoxha…sepse duket që politikisht të jetë në të njëjtin hall me të. Kur i rrezikohej pushteti, Enver Hoxha, me ligësinë e tij patologjike, mendonte se bënte një politikë të lartë kur deklaronte se: “e kishte bllokuar Perëndimi …se ishte në rrethim e në bllokadë…dhe se me forcat e veta shqiptarët duhet të çanin rrethimin dhe bllokadën për të mbijetuar”. Sigurisht kjo ishte një ligësi e Hoxhës e asaj kohe, e cila nuk besohej nga shqiptarët, por që mbahej në këmbë me terrorin shtetëror: “Thuaj të kundëtën po të dush !” …. Sepse e vërteta ishte se Perëndimi nuk mund ta pranonte Enver Hoxhën si diktator që shtypte popullin e vet – kjo ishte e vërteta e mospranimit… dhe sigurisht që ka qënë në favor të shqiptarëve dhe jo kundër tyre”, shprehet Ngjela.

Sipas tij, në vend që të ankohet për Perëndimin, Rama duhet të bëjë reformën në drejtësi, të ndëshkojë të pandëshkuarit dhe të luftojë korrupsionin.

Sot po dëgjojmë nga Rama, se :”nuk është faji ynë pse s’na pranojnë në Europën e Bashkuar, por është faji i tyre që janë skeptikë”. E njejta gjë si me “politikën e Hoxhës”. Jo, ore, jo! …politika e Europës së Bashkuar, për të të pranuar, të ka vënë kushte të qarta botërisht: Duhet të bëhen reforma në drejtësi për të krijuar pushtetin gjyqësor të pavarur që të japë drejtësi shoqërore në Shqipëri…Duhet të bësh reformën institucionale demokratike…Duhet të ndëshkohen të pandëshkueshmit dhe korrupsionin me një pushtet gjyqësor që jep drejtësi…Duhet të godasësh krimin e organizuar që të vjen deri lart në lidërshipin drejtues në Shqipëri”…dhe pastaj të hysh në Europë. Po ta shohesh me vëmendje, këto kushte politike i janë vënë kryeministrit shqiptar, jo për të rrëzuar atë ose mospranuar atë, por për të ndihmuar shqiptarët. Kjo është deviza: Bashkimi Europian, me politikën e shteteve të mëdha të tij, po i jep shqiptarëve ndimën më të madhe kur vendos kushte demokratike për shqiptarët, per liritë dhe të drejtat e tyre, për drejtrësinë shoqërore në Shqipëri dhe për ndëshkueshmërinë e krimit”, thotë Ngjela.

Sipas tij, nëse Rama nuk i plotëson dot këto kushte, atëherë duhet të largohet.

Kjo është politikë, nëse Rama s’e pranon se nuk e bën dot, duhet të largohet… Kushtet nuk janë “kapriçio europiane”, sikurse shprehet indirekt me retorikën e tij të vjetër Rama, por kritere demokratikë që, para së gjithash, janë vënë për të shpëtuar shqiptarët nga padrejtësia shekullore që po i sundon. Çfarë e di ti zoti Rama Perëndimin, dhe politikën e lartë perëndimore, një Mao Ce Dun që të të japë para për të mbajtur një pushtet politik që ka 100 vjet që jeton politikisht me krimin e organizuar dhe terrorin shtetëror? Pse, a nuk janë pikërisht këto kushte që ka vënë Perëndimi për të hyrë në Bashkim, ato që iu premtove ti vetë shqiptarëve kur të dhanë votën para një viti? Koha e solli që – nëse ende shqiptarët s’po t’i kërkojnë premtimet për luftën kundër krimit, korruopsionit dhe padrejtësisë, tani këto i ke kushte nga Europa, dhe shqiptarët do të t’i kërkojnë patjetër… Plotëso kushtet Rama, dhe lere në skutat ku është futur në lëngatë, sherpë dhe e ligë, politika e Enver Hoxhës !…”, e mbyll ai.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/