Babai i 35 vjeçarit, Jetnor Zhaboli, i cili pak ditë më parë u raportua se kishte “ngujuar” familjen e tij brenda shtëpisë, ka treguar se prej më shumë se një viti djali i tij kishte shfaqur probleme psikologjike.
Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Muharrem Zhaboli thotë se djalit të tij i dukej sikur dëgjonte zhurma. Sipas tij, kjo gjendje e tij erdhi pasi kaloi dy herë Covid-in.
“Çështja e monitorimit ka këtë shpjegim që ai vetë dëgjonte zhurma në shtëpi. I bëhej sikur dëgjonte zhurma, a kupton? Sikur përgjohej, sikur kishte zhurma…Ngrihej natën jerm ose e zinte gjumi tullë nuk dëgjohej fare, pra kishte ca reflekse të anës psikologjike. Këto, unë si prind dhe bashkëshortja ime i kemi vënë re pasi ata njëherë u shtruan të dy, sëmurë te Infektivi, me temperaturë, ftohje. Me një dhomë të dy. Pastaj ky kali dy herë Covid-in, në gjendje të rëndë. Pastaj kur ka bërë vaksinën, ka filluar të humbë diçka, reflekset…”, tha i moshuari.
I pyetur nëse është vizituar për këto shqetësime, babai i 35 vjeçarit u përgjigj “jo”. Sipas tij, ai ka njoftuar policinë për të parë nëse në banesë ka ndonjë zhurmues.
-A ishte vizituar ndonjëherë për këto zhurmat?
Muharrem Zhaboli: Jo! I vinin nga jashtë. Ky pastaj, pas ca kohësh i kërkoi policisë që të kontrollonte me aparate, mos ka ndonjë pajisje, mos ka ndonjë zhurmues. Mos ka ndonjë gjë…Kontrolluan, jo…
Kujtojmë se Jetnor Zhaboli u arrestua më 26 Janar pasi kishte mbajtur të izoluar brenda banesës nënën, gruan dhe vajzën e tij të mitur. Siç u raportua më herët, ai kishte vënë kamera monitoruese në çdo cep të shtëpisë. Ka dyshime që Zhaboli të ketë probleme të shëndetit mendor, por do të jetë ekspertiza që do të bëhet në vijim që do ta përcaktojë.