Hyn në ditën e tretë protesta kundër keqqeverisjes, e organizuar nga Partia Demokratike. Qytetarë, përfaqësues dhe militantë të PD-së kanë kaluar natën në çadrën e improvizuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë.
Qëndrimi në çadër do të bëhet me turne, ndërsa brenda saj bëhen diskutime mes qytetarëve dhe deputetëve demokratë për problemet që kanë. Ashtu siç është parashikuar dhe vendosur nga grupi Parlamentar i PD-së në mbledhjen e djeshme dhe me aleatët e saj, duke nisur nga sot do të ketë përshkallëzim të protestës.
Bashkë me Kryesinë e Partisë Demokratike u mor vendimi se opozita nuk do të kthehet në Parlament derisa të arrihet krijimi i qeverisë teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mësohet se të gjithë deputetët kanë qenë në një mendje për vijimin e protestës deri sa të plotësohen kushtet e tyre.





