Është botuar në fletoren zyrtare, duke sjellë rrjedhimisht hyrjen e menjëhershme në fuqi, të vendimit të qeverisë për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve dhe ngritjen e Bordit të Transparencës si mekanizëm për kontrollin e çmimit të karburantit, mes krizës së lidhur me luftën në Lindjen e Mesme.
Ky mekanizëm, i njëjtë me atë që u ngrit gjatë periudhës së krizës së çmimeve si pasojë e luftës mes Ukrainës e Rusisë, do të përcaktojë çmimet e hidrokarbureve, të cilat janë të detyrueshme për të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari në këtë fushë.
Bordi do të vendosë për çmimin e karburantit mbi bazën e analizës së çmimit të bursës, marzhit të fitimit, që po ashtu është i përcaktuar, sikurse do të monitorojë subjektet që ushtrojnë veprimtari në këtë sektor me qëllim shmangien e rasteve abuzime.
Karburantet që nuk do të mbajnë çmimin e caktuar prej bordit, humbasin të drejtën e aktivitetit dhe u konfiskohet produkti.
Në ditët në vijim, Bordi i Transparencës pritet të zhvillojë mbledhjen e parë për të caktuar çmimin tavan të karburantit, mbi të cilin asnjë kompani nuk mund ta tregtojë.
Qeveria gjithashtu ka vendosur ulje me 20% të akcizës së karburantit.
Ky vendim do të marrë parasysh taksat dhe, për çmimin e shumicës, do të ketë një marzh prej 3 lekësh për litër, ndërsa për pakicën 12 lekë për litër.
Qeveria fillimisht ngriti një task-forcë për kontrollin e tregut të hidrokarbureve me qëllim për të shmangur abuzimin me çmimet, ndërsa Autoriteti i Konkurrencës nisi një hetim.
Konfindustria dhe Partia Demokratike kanë paraqitur propozime për ndërmarrjen e disa masave ligjore, mes të cilave edhe uljen e taksës së qarkullimit për mjetet si masë ndaj rritjes së çmimit të karburantit. Por qeveria ka vendosur që për këtë fazë të ndërhyjë përmes Bordit të Transparencës dhe uljes së akcizës.





