TIRANË-Pasuritë e një shtetasi të ekzekutuar në vitin 2008 janë sekuestruar nga Gjykata e Tiranës me kërkesë të Prokurorisë pasi dyshohet se janë krijuar nga aktivitete të paligjshme. 
“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka urdhëruar vendosjen e sekuestros preventive për pasuri të llojeve të ndryshme, të cilat arrijnë shifrën totale rreth 3 milionë euro, të dyshuara se janë krijuar nga aktivitetet e paligjshme të shtetasit Elton Deliu (Çaushi), i ekzekutuar në Tiranë më 27.12.2008”. 

Zyra e informacionit të Prokurorisë shpjegoi se sekuestrimi u mundësua pas informacionit nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë dhe nga verifikimet e kryera në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në banka të nivelit të dytë, si edhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor. 

Vlera e pasurive kap shifrën 3 milionë euro. 

“Rezulton se, në emër të shtetasit Elton Deliu, si edhe të disa personave të afërm me të (të rrethit familjar dhe shoqëror), janë të regjistruara pasuri, të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike dhe dyshohen si të prejardhura nga aktiviteti i kriminal i shtetasit Elton Deliu. Në emër të tij, figurojnë si më poshtë: 

1. 10.000 m2 sipërfaqe toke në Tiranë 
2. 3 lokale në Tiranë (2 në rr. Myslym Shyri dhe 1 në rr. e Dibrës) 
3. 3 apartamente në Tiranë dhe 1 vilë në Durrës 
4. 4 automjete, njëri prej të cilëve furgon i blinduar”. 
 

Prokuroria bën të ditur se këto pasuri administroheshin nga shtetasit A.Musaraj dhe A.Sako. 

Gjithashtu, janë evidentuar pasuri të dyshuara si të prejardhurave nga aktiviteti i shtetasit Elton Deliu, të regjistruara në emër të shtetasve F.Deliu, A. Musaraj dhe A.Sako, të cilët kanë pasur lidhje të afërta me të. 
Në emër të shtetases F.Deliu, e cila është e ëma e Elton Deliut, e ekzekutuar në të njëjtën ditë me të birin, rezultojnë të regjistruara: 
 

1. 12.300 m2 sipërfaqe toke në Durrës 
2. Llogari në dy banka, nëpërmjet të cilave ka kryer gjatë vitit 2008 transaksione në vlerat 650.000 euro dhe 954.000 USD 
Në emër të shtetases A.Musaraj, rezultojnë të regjistruara: 
1. 2 automjete 
2. 5000 m2 sipërfaqe toke, të cilat rezultojnë të regjistruara në ZRPP në emër të shtetasit A. Sako, por që i kanë kaluar me kontratë shitje shtetases A.Musaraj. 
3. Aktivitet privat person fizik (lokal), debitor pranë organeve tatimore 
Në emër të shtetasit A.Sako, rezultojnë të regjistruara: 
1. 3 automjete 
2. 1 apartament 
3. 2400 m2 sipërfaqe toke 
4. Aktivitet privat person fizik (lokal), i rregullt në pagesën e detyrimeve 
 

Për të gjitha këto pasuri, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë më dt. 26.12.2012 ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e sekuestros preventive, sqaron Prokuroria. 

Ekzekutimi

Krimi i dyfishtë që tronditi mbarë kryeqytetin ndodhi në muajin Dhjetor, 2008, rreth orës 15.00 në rrugën “Perlat Rexhepi”. Të paktën dy persona, sikurse deklarohet nga policia, janë ngjitur në katin e VI të pallatit të ri dhe i kanë rënë ziles së hyrjes ku banonte objektivi i tyre, Elton Deliu. Sipas policisë, ka qenë Flutura Deliu e cila i ka hapur derën dy ekzekutorëve, të cilët nuk kanë hezituar ta qëllojnë për vdekje. Më pas, kanë qëlluar në kokë dhe trup 32-vjeçarin Elton Deliu. Ndërsa, 52-vjeçarja ka gjetur vdekjen në vend, djali i saj, Eltoni ka dhënë shpirt rrugës për në Spitalin Ushtarak. Gruaja shtatzënë e Elton Deliut është e vetmja që i ka shpëtuar atentatit mafioz. Ajo gjendej në katin e parë të pallatit dhe kur është ngjitur ka gjetur vjehrrën e vrarë si dhe bashkëshortin në grahmat e fundit. 

Dyshimet e para mbi vrasjet ishin, një ekzekutim i ardhur pas prishjes se pazareve të drogës. Kjo ishte pista kryesore ku hetoi policia për të hedhur dritë mbi krimin e dyfishtë. Elton Deliu njihej si një kontingjent kriminal, i përfshirë në rrjetin e trafikut të narkotikëve.