Mungesa e ndërtimeve të reja në qytetin e Durrësit i ka orientuar shitblerjet e pasurive të paluajshme drejt zonës bregdetare të Golemit dhe Malit të Robit, në Kavajë. Në qytetin 3000-vjeçar, kërkesa mbetet e lartë, por oferta mungon ose është mjaft e kufizuar.

“Emigrantët shqiptarë, por edhe shqiptarët e diasporës në përgjithësi janë të orientuar te ndërtimet e reja në zonën e Golemit, Malit të Robit, Qerret të Kavajës, ku aktualisht që flasim ka shumë pallate në ndërtim e sipër, të cilat të ofrojnë mundësinë e pagesave me këste. Përsa i përket qytetit të Durrës, ka shumë pak ndërtime të reja në këto momente dhe ka pak qarkullim”,– thotë për “DurrësLajm”, agjenti imobiliar Florian Tahiri.

Kjo ka bërë që në zonat më të preferuara, si qendër, lagjja nr.1 apo plazh çmimi i metrit katror të vijojë rritjen, duke kapur shifra që në 2 vitet e para pas tërmetit as që imagjinohej se mund të arrihej në Durrës. Njëkohësisht shtimi i numrit të turistëve të huaj dhe apartamenteve që lëshohen me qira ditore, ka bërë që çmimi i metrit katror të rritet ndjeshëm.

“Në zonën e qendrës së Durrësit çmimi mesatar është 1200-1500 euro/m2. Nëse flasim për zonën e Vollgës, çmimi aty varion nga 1200-1800 euro/m2. Po aty çmimi varet edhe nga apartamenti, sidomos kur ka pamje ballore nga deti, që kryesisht blihen për investim”,– thotë Tahiri.

Dhënia e lejeve të ndërtimit për godina deri në 30 kate në qytet nga ana e Këshillit Kombëtar të Territorit pritet të rrisë në vitet në vijim numrin e apartamenteve të reja për shitje, por sipas agjentëve imobiliarë, ato do të mund të blihen vetëm nga një grup i kufizuar klientele.

“Pritet që këto ndërtime të reja të kenë çmime mbi mesataren, duke pasur parasysh që do të jenë të një cilësie më të lartë dhe vit ndërtimi më i ri. Pritet të kenë çmime të larta dhe të jenë për një shtresë të caktuar”.

Çmimet e reja të referencës që pritet të hyjnë në fuqi në muajin janar të vitit të ardhshëm, por edhe nisja e procesit të rivlerësimit ka sjellë gjatë këtyre muajve një frenim në tregun imobiliar.

Shitësit e mundshëm të pasurive të paluajtshme janë në pritje të zhvillimeve të reja, por kjo mund ta dëmtojë edhe më tej tregun, nëse zhvillimet e shumëpritura shtyhen sërish në kohë.

“Patjetër që i bën keq tregut, pasi qytetarët që kanë nxjerrë apartamentin në shitje thonë nuk do ta shes tani, do ta shes kur të bëhet rivlerësimi”.

Aktualisht, në qytetin e transformuar nga betoni përgjatë 30 viteve të fundit, pritet të nisë ndërtimi i shumëkatësheve në qendër të qytetit, tek stadiumi, në plazh, por edhe tek projekti “Durrës Marina'”.

M.B.