Garda Revolucionare e Iranit deklaroi të enjten se Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur për anijet që i përkasin Shteteve të Bashkuara, Izraelit, vendeve evropiane dhe aleatëve të tyre.

Sipas mediave shtetërore iraniane, autoritetet në Teheran kanë paralajmëruar se çdo anije nga këto vende që do të përpiqet të kalojë nëpër këtë korridor strategjik detar mund të goditet.

Ne kemi thënë më parë se, bazuar në ligjet dhe rezolutat ndërkombëtare, në kohë lufte Republika Islamike e Iranit ka të drejtë të kontrollojë kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit”, thuhet në deklaratën e Gardës Revolucionare, të transmetuar nga televizioni shtetëror IRIB.

Sipas tyre, nëse në zonë identifikohen anije që i përkasin SHBA-së, Izraelit, Evropës apo “mbështetësve të tyre”, ato “me siguri do të goditen”.

Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, është prekur nga reduktimi i trafikut që pas nisjes së operacionit të përbashkët ushtarak të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit fundjavën e kaluar.

Përshkallëzimi i situatës ka shkaktuar menjëherë rritje të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe ka ngritur shqetësime për ndikim të madh në ekonominë globale.