Projektuesit e Rilindjes, pas plazhit, ngushtuan rrugët në Durrës pa i gjetur asnjë zgjidhje qarkullimit të mjeteve dhe mungesës së parkimeve.

Asnjë prej banorëve të Durrësit nuk kishte menduar që investimet publike të konsistonin në heqjen e parkimeve në anë të rrugës dhe të zgjerimit të trotuareve në kurriz të qarkullimit të automjeteve.

Nga investimet kanë mbetur të habitur të gjithë, se si askush nuk u pyet e nuk ju mor mendimi në lidhje për realizimin e të tilla projekteve nga ana e inxhinierëve. Projektuesit e këtyre viteve të fundit kanë çuditur të gjithë Durrësin me projektet e vëna në zbatim. Në fillim ngushtuan rrugën e plazhit, duke e kthyer në atë që është sot, krejtësisht e papëlqyer nga banorët e zones apo turistët dhe pushuesit. Më pas, projekti i ngushtimit të rrugëve u zhvendos edhe brenda qytetit.

Në të gjithë botën rrugët zgjerohen për të liruar qarkullimin e makinave, ndërsa në Durrës po ndodh krejt e kundërta.

"Këta e kanë shkatërruar fare çdo gjë. Jo vetëm me rrugët e parkimet, por edhe me lulishtet",- thotë një qytetar i indinjuar për DurrësLajm. 

"Shumë problem është,- thotë një tjetër qytetar. Menjëherë shkaktohet konfuzion dhe nuk di çfarë kanë pasur në mendje kur i projektuan kështu".

Investimet në infrastrukturën rrugore në qytetin e Durrësit janë centralizuar në mënyrë të frikshme, pasi vetëm për qendrën e qytetit janë investuar mbi 15 milionë dollarë në vitet e fundit, ndërsa në periferi mungojnë plotësisht. Por edhe këto investime nuk janë aspak efikase për qytetarët. Rrugët janë ngushtuar për automjetet dhe janë hequr parkimet për makinat. Më shumë se 6 milionë dollarë janë investuar në dy rrugë; “Egnatia”, nga stacioni i trenit tek Veliera, dhe në rrugën “Aleksandër Goga,” nga muzeu i Dëshmorëve në sheshin “Liria”. Këto investime miliona euroshe konsistuan në ngushtimin e rrugëve dhe zgjerimin e trotuareve duke paralajmëruar kolaps në trafikun rrugor për sezonin e pritshëm veror.

Shoferët dhe qytetarët thonë se askush nuk i pyeti apo nuk ju mori mendim për ngushtimin e rrugëve, në të cilat u hoqën edhe parkimet e automjeteve dhe nuk u ndërtuan korsi për biçikleta.

Bulevardi “Dyrrah” ishte shembulli i parë i modelit që pasoi me ngushtimin e rrugëve për makinat e zgjerimin e trotuareve. Ky bulevard u shtrua me kalldrëm, por është dëmtuar dhe kërkon sërish investim serioz.

Ndërsa zgjidhje për trafikun e rënduar në Durrës nuk ka dhënë as investimi në sheshin “Veliera”. Per sheshin “Veliera” u investuan 6 milion dollarë, ndërsa investimi është i bllokuar prej gati dy vjetësh.

K.H.