Nick Carter është përlotur në skenën e O2 të Londrës mbrëmjen e së dielës pas lajmit se vëllai i tij Aaron u gjet i vdekur në një vaskë në shtëpinë e tij në Kaliforni një ditë më parë.

Këngëtari, 42-vjeçar performoi me grupin e tij të famshëm , Backstreet Boys si pjesë e turneut botëror të DNA-së, më pak se 24 orë pasi zbuloi lajmin tragjik.

Ai u bë emocional ndërsa këndonte pjesën e tij në hitin e tyre “Show Me The Meaning of Being Lonely” dhe nuk ishte në gjendje ta përfundonte.

Aaron ishte vëllai më i vogël i Nick Carter. Nick ka bërë edhe një postim të gjatë në rrjetet sociale, teksa përmendte marrëdhënien e tij “të komplikuar” me vëllain e ndjerë Aaron Carter në një homazh të përzemërt pas vdekjes së këngëtarit të shtunën.

“Zemra ime është thyer sot,” nisi postimin e tij së bashku me një album fotografish të tij dhe Aaron gjatë viteve.

“Edhe pse vëllai im dhe unë kemi pasur një marrëdhënie të komplikuar, dashuria ime për të nuk është zbehur kurrë. Gjithmonë kam mbajtur shpresën, se ai do të donte disi, një ditë të ecte në një rrugë të shëndetshme dhe përfundimisht të gjente ndihmën që kishte aq shumë nevojë. Ndonjëherë duam të fajësojmë dikë ose diçka për një humbje. Por e vërteta është se varësia dhe sëmundja mendore është keqbërësi i vërtetë këtu”, shkruan më tej këngëtari.