Nico Rosberg, kampioni i botës në fuqi në Formula 1, ka deklaruar sot se do të jetë pjesë e stafit menaxherial të pilotit polak Robert Kubica. Për Rosberg detyra kryesore do të jetë rikthimi i Kubica në Formula 1, pas 7 vitesh.

Lajmin e ka konfirmuar piloti gjerman përmes një mesazhi në faqen e tij zyrtare “Twitter”, duke thënë: “Jam i lumtur që do të punoj për të rikthyer Robert në Formula 1. Ai dhe Hamilton janë dy pilotët më të shpejtë me të cilët kam garuar”, ka qenë komenti i Rosberg, që ka postuar edhe një foto bashkë me Kubica e Hamilton, kur kanë qenë të rinj.

Ky nuk ka për të qenë një mision i lehtë për pilotin gjerman edhe pse Kubica, gjatë këtij viti, ka zhvilluar disa teste me makinën Renault (në pistën e Hungarisë), por skuadra franceze ka deklaruar se pilotët e saj për vitin 2018 do të jenë Carlos Sainz dhe Nico Hulkenberg. Edhe skuadra e Force India ka konfirmuar pilotët e saj për vitin 2018, ndërkohë që edhe McLaren është pranë rikonfirmimit të Fernando Alonso.

E vetmja shpresë për Robert Kubica mund të jetë makina Williams, në rast se nuk qëndron Felipe Massa. Puna për Rosberg si menaxher sapo ka nisur…