Nijas Lena është me efekt të plot lojtar i ri i Teutës. Vetëm pak ditë pasi durrsakët e prezantuan mesfushorin si përforcimin e merkatos së verës, klubi gjeti zgjidhje edhe për dokumentacionin e futbollistit.Pas negociatave të zhvilluara, drejtuesit e Teutës dhe ata të Kukësit arritën akordin, për zgjidhjen me konsensus të kalimit të 31-vjeçarit nga Struga në “Niko Dovana”.Lena e mbylli aventurën me Kukësin me titullin kampion të fituar, por polemikat nuk munguan, pasi veri-lindorët këmbëngulnin që lojtari ishte ende nën kontratë me ta.Pretendime të hedhura poshtë nga fantazisti, i cili vendosi që si lojtar i lirë të kthehej në Durrës, aty ku ka luajtur edhe në vitin 2016. Me çështjen që rrezikonte të kalonte në organet e drejtësisë sportive, zgjidhja erdhi nga angazhimi i drejtuesve të dy klubeve.
Kukësi vendosi t'i japë leje-kalimin Nijas Lenës, ndryshe nga sa ka ndodhur me portierin Koliçi apo sulmuesin Emini, ndërsa Teuta siguron një përforcim të rëndësishëm për sezonin e ri. Lena doo të jetë truri i skuadrës së Maganit, me Teutën që është rinovuar thuajse plotësisht dhe ka si objektiv që jo vetëm të mos e diskutojë mbijetesën, por të konkurrojë për një vend në kupat e Europës.