Nijaz Lena është zyrtarisht lojtari më i ri i Teutës. Pas akordit të arritur ndërmjet klubit bregdetar me mesfushorin e lindur në Strugë, mesditën e sotme erdhi edhe firma në kontratë. Më pas Lena pozoi edhe me fanellën e ekipit nga Durrësi, ku do të mbajë mbi shpinë numrin 10. Në fan club-in e tij, lojtari falënderoi drejtuesit e Teutës dhe trajnerin Gugash Magani, të cilët i besuan dhe shpreson që këtë ta kompensojë në fushën e lojës.
Ishte pikërisht drejtuesi i stolit ai që këmbënguli për afrimin e Nijaz Lenës në Niko Dovana. Një fantazist që do ta ndihmonte Teutën në fazën ofensive, me skuadrën që synon të ruajë vendin e tretë në Kategorinë Superiore.
Mesfushori u transferua në Durrës, pas prishjes së kontratës me Flamurtarin, ku ka mbrojtur ngjyrat e kuqezinjve prej pesë vitesh. Lena ishte ndër titullarët e pakët që mbetën në Vlorë pas problemeve të klubit me keqmenaxhimin, por në situatën e krijuar ai vendosi të niste një tjetër aventurë.
Lena bëhet përforcimi i dytë i rëndësishëm për Teutën, që disa ditë më parë afroi talentin Florian Kadriu. Lojtari i lindur në Kërçovë u vendos në shërbim të skuadrës, me formulën e huazimit nga Tirana.