2dhjetor 2014 – Humbja me Partizanin ka lënë një shije të hidhur në kampin durrsak, por optimizmi nuk është lëkundur në radhët e "djemve të detit, të cilët i pret një transfertë e vështirë ndaj Skënderbeut në Korçë. Mesfushori Ansi Nika u kërkon falje tifozëve dhe drejtuesve të klubit për momentet e vështira që po kalon skuadra e Teutës:
"Humbjet e njëpasnjëshme kanë lënë një shije të hidhur në skuadër, tifozeri, por edhe në radhët e drejtuesve të klubit. Të gjithë ndjejmë përgjegjësi morale për gjendjen e vështirë që po kalon skuadra ndaj kërkojmë falje, për këtë situatë në të cilën është përfshirë Teuta. Krahas kundërshtarit mjaftë të vështirë, mendoj se humbëm një mundësi shumë të mirë për të marë tre pikë, si dhe për të dalë nga kjo situatë e pakëndëshme ku ndodhemi përj disa javësh. Megjithatë, unë kam besim se situata do të ndryshojë dhe skuadra do të rikthehet tek rezultatet pozitive", u shpreh fillimisht shkodrani. Duke vijuar me tej prononcimin e tij Nika, i cili bëri një paraqitje të mirë në përballjen me Partizanin, shprehet se Teuta nuk e meritonte humbjen. Sipas tij, skuadra bëri një paraqitje të mirë dhe lojtarët dhanë maksimumin në fushën e lojës. "Me paraqitjen që bëmë ndaj Partizanit, mendoj se nuk e meritonim humbjen. Barazimi do të ishte rezultati më i drejtë, për atë që skuadrat dhanë në fushën e lojës. E kishim vlerësuar shumë atë ndeshje dhe me përjashtim të disa fraksioneve, kam përshtypjen se luajtëm mirë. Duhet ta kishim evituar këtë humbje dhe në fakt patëm rastin me anë të Premçit për ta barazuar rezultatin në minutat e fundit të ndeshjes. Mungesat e katër lojtarëve: Krasniqit, Kotobellit, Koreshit dhe Rafaelit ndikuan. Pothuajse mungonte gjysma e skuadrës. Megjithatë, të kaluarën nuk e zhbëjmë dotë dhe sna ngelet gjë tjetër veçse të shikojmë përpara. Ta hedhim pas krahëve këtë rezultat negativ dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës, ku të përpiqemi të marim një rezultat pozitiv. Përballë do të kemi skuadrën kampione në fuqi, Skenderbeun, por unë kam besim tek grupi", përfundoi Nika.





