19 dhjetor 2014 –  Fitorja me Apoloninë ka rikthyer qetësin në kampin durrsak. Teuta ka nisur ndërkohë përgatitjet për ndeshjen e radhës atë të fundjavës kundër Tiranës në kryeqytet. "Djemtë e detit" mendojnë se fitorja i ka nxjerrë nga kolapsi i pesimizmit dhe tashmë, sipas tyre, do të jetë më e lehtë për të fiksuar rezultate pozitive. Fitorja ndaj Apolonisë ka shërbyer jo vetëm në drejtim të gjendjes psikologjike të skuadrës, por edhe duke i'u larguar zonës së ftohtë, pasi nga fierakët janë shkëputur shtatë pikë dhe ndihen disi më komodë. Tekniku Begeja nuk ka lënë asnjë ditë pushim skuadrën pas ndeshjes me Apoloninë, duke nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës. në kampin durrsak e vlerësojnë maksimalisht Tiranën e Maganit, por besojnë se kryeqytetasve do t'u shkëpusin një rëzultat pozitiv në këtë transfertë. Mesfushori me tipare sulmuese i Teutës, Ansi Nika, e ka vlerësuar me nota të larta paraqitjen e skuadrfës së tij në ndeshjen e fundit.

Shkodrani i cili shënoi edhe golin e fitores me 11 metërsh shprehet se skuadre e tij e meritoi plotësisht fitoren dhe kishte mundësi të fitonte edhe me rezultat të thellë ndërkohë që Nika është optimist për një rezultat pozitiv në Tiranë:

"Më në fund u rikthyem tek fitorja. Jam shumë i lumtur, sepse u rikthyem tek fitorja pas pesë humbjeve radhazi. Luajtëm shumë mirë dhe besoj se e merituam plotësisht fitoren. Ne e dominuam totalisht ndeshjen dhe kishim mundësi të fitonim edhe me një rezultat të thellë, por fatkeqësisht nuk i shfrytëzuam si duhet. Nuk e vumë për asnjë moment në diskutim fitoren. Skuadra bëriu një paraqitje të mirë, e cila duhet të përsëritet edhe në fundjavë me Tiranën në kryeqytet. Gjithashtu jam i lumtur që ktheva në gol atë penalti. E rëndësishme, është të vazhdojmë të fiksojmë rezultate pozitive edhe në vazhdim", u shpreh Nika.

Sipas tij, skuadra tashmë do të fiksojë vetëm rezultate pozitive, ndërsa rezultatet negative i përkasin të shkuarës. Teuta u rikthyet tëk fitorja pas pesë humbjeve radhazi në kampionat, ndërsa fill pas përballjes me Tiranën topi do të kaloj në fushën e drejtuesve të klubit, specifikisht të presidentit Hasanbelliu, i cili do të shikoj mundësinë e përforcimit të skuadrës për pjesën e mbetur të kampionatit. Sakaq, ndaj Tiranës tekniku Begeja do ta ketë kontigjentin të plotë, përfshi edhe mesfushorin Koreshi, i cili e ka kaluar dëmtimin dhe është gati për të zbritur në fushë.